Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama bëri me dije se kanë diskutuar edhe për çështjet globale dhe rajonale.
Erdoğan deklaroi se genocidi në Gaza është turpi i përbashkët i të gjithë njerëzimit, ku shtoi se duhet të bëhet presion ndaj Izraelit për armëpushim. Gjithashtu, Erdoğan i përsëriti kryeministrit Edi Rama për luftën kundër organizatës “FETO”, siç e konsideron ai, njerëzit e filantropit Fethullah Gülen.
“Diskutuam edhe çështjen e luftës së përbashkët kundër organizatave terroriste, FETO-s me mikun tim të dashur kryeministrin Rama. Shpresojmë që ta vazhdojmë luftën kundër organizatave terroriste përmes vendimeve që kemi marrë sot.
Me zotin kryeministër shkëmbyem ide edhe për çështje globale dhe rajonale. Ndjekim me admirim përpjekjet e Shqipërisë për vendosjet e paqes dhe stabilitetit si në rajon dhe në arenën ndërkombëtare. Mizoritë izraelite në territoret e pushtuara palestineze, në Gaza dhe Liban, ishin ndër pikat prioritare të takimit tonë. Unë ndava pikëpamjet tona për agresionit e qeverisë Netanyahu që shkojnë përtej fushëveprimit rajonal dhe janë bërë kërcënim për rendin global. Gjenocidi prej 1 viti në Gazë është turpi i përbashkët i të gjithë njerëzimit. Për këtë arsye, ne si komunitet ndërkombëtar duhet të bëjmë çmos për një armëpushim të përhershëm për të ofruar ndihma humanitare dhe presion ndaj Izraelit. Besoj se Shqipëria do të bëjë pjesën e saj në këtë drejtim.”, u shpreh Erdogan.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama deklaroi se pika ku ndahen Tirana dhe Ankaraja sa i përket qëndrimit për konfliktin mes Izraelit dhe Gazës është Hamasi dhe terrori i ushtruar prej tyre.
