Deputetja Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka ndërmarrë një iniciativë ligjore për një paketë të plotë në fushën e mbrojtjes së konsumatorit në sektorin bankar. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Tabaku u shpreh se “prej disa javësh, shqiptarët janë përballur me realitetin e trishtë që u ka marrë bashkëqytetarëve pronat, kursimet dhe, fatkeqësisht, edhe jetën”. “Një grup përmbaruesish, mbledhësish të kredive të këqija dhe përfitues imoralë të një legjislacioni me shumë boshllëqe mbledhin kambialet e borxhlinjve duke përdorur dhe shfrytëzuar në maksimum vuajtjet dhe nevojat e tyre. Të njëjtët persona menduan boshllëqet ligjore të mikrokreditimit dhe licencimit të shoqërive të borxhit të keq si një hapësirë ligjore abuzive. Përfituan nga mungesa e rregullimit të një zone gri, që kishte hapur një derë abuzimi, për të shpartalluar të ardhurat e qytetarëve përmes kamatave abuzive dhe kriminale, që kalonin nivelin e borxhit.
Duke përdorur mbi të gjitha hapësirën ligjore dhe një fushë tërësisht të paorientuar në mbrojtjen e konsumatorit, kësaj radhe kredimarrësit”, theksoi Tabaku. Fatkeqësisht, sipas saj, “institucionet që duhet të mbikëqyrnin me imtësi të plotë situatën dhe të kontrollonin sjelljen e këtyre institucioneve financiare, si Banka e Shqipërisë, bënë sikur nuk e panë situatën”. “Një sjellje që nuk ngrihet aspak në lartësinë e detyrës që ka institucioni i Bankës së Shqipërisë dhe akoma më tej luajti një ping-pong të pandershëm me institucionet e tjera. Një sjellje që e pamë edhe në raportimin e guvernatorit në Parlament. Natyrisht, që një vepër e tillë penale ka qenë tejet e sofistikuar, duke shfrytëzuar në maksimum heshtjen e parlamentit, që nuk ka mundur të propozojë ligje që e rregullojnë këtë çështje; të një qeverie që sjell me kamionë ligjet me porosi dhe përdor çdo deputet të mazhorancës për të propozuar një ligj për interesa oligarkie, por që nuk u kujtua aspak për një nevojë të tillë; të boshllëkut ligjor që ofron Banka e Shqipërisë dhe mospërfilljes jo kokëçarëse dhe deri menefregiste që na dhuroi Ministria e Drejtësisë”, shtoi ajo.
Duke folur për iniciativën e ndërmarrë prej saj, Tabaku tha se ajo ka për qëllim vetëm mbrojtjen e kredimarrësve nga praktikat grabitqare të huadhënies dhe veprimeve kriminale që nënkupton edhe përafrimin e gjithë legjislacionit për shërbimet financiare. Sipas Tabakut kjo nismë i shërben domosdoshmërisht një tregu të etur për rregull dhe sundim të ligjit.
