Shqipëria nën pushtetin e dëborës dhe ngricave, -18°C në Valbonë, dhjetëra akse të bllokuara

Data

Reshjet e dendura të dëborës kanë përfshirë zonat malore të vendit mbi 300 metra mbi nivelin e detit, duke sjellë rënie të ndjeshme të temperaturave dhe probleme serioze në qarkullimin rrugor. Dëbora ka zbardhur edhe malin e Dajtit, ndërsa temperaturat minimale gjatë natës kanë zbritur deri në -18°C në Valbonë, -13°C në Kukës–Shishtavec dhe -8°C në Theth.

Situata paraqitet problematike në disa akse rrugore. Aksi Qukës–Qafë Plloçë vijon të jetë i pakalueshëm për shkak të rënies së gurëve dhe dherave. Në rrugën e fshatit Dardhas në bashkinë e Pogradecit, e dëmtuar nga reshjet e shiut disa ditë më parë, po punohet për krijimin e një bypass-i. Të bllokuara janë edhe disa rrugë rurale në Maliq, kryesisht për shkak të rrëshqitjeve të dheut.

Në qarkun e Vlorës, disa fshatra pranë lumit Vjosë vijojnë të jenë nën ndikimin e përmbytjeve, ndërsa maja e Llogarasë është mbuluar nga dëbora. Aksi mbetet i hapur për qarkullim, por me vështirësi. Në fshatin Bashaj, një rrëshqitje masive dheu ka dëmtuar rrugën lidhëse, duke izoluar mbi 100 banorë.

Aksi Gjirokastër–Tepelenë mbetet ndër më problematikët. Në kilometrin e 17-të, prurjet e lumit Drino kanë rrezikuar trupin e rrugës dhe po punohet për forcimin e argjinaturës. Te zona e njohur si “Shkalla e Zezë”, qarkullimi vijon vetëm me një korsi për shkak të inerteve në rrugë. Rrëshqitje dheu kanë bllokuar përkohësisht edhe aksin Uji i Ftohtë–Tepelenë, ndërsa te Ura e Leklit rreth 70% e gjerësisë së rrugës është zënë nga dherat.

Reshjet e shiut kanë çarë karrexhatën te Ura e Petranit, duke bllokuar qarkullimin në aksin Përmet–Dogana e Tre Urave. Po ashtu, si pasojë e dëborës, është bllokuar edhe aksi Pogon–Dropull.

Rruga e Arbrit është e hapur për qarkullim, por e vështirësuar për shkak të ngricave. Rruga nacionale Klos–Burrel u bllokua përkohësisht pas rënies së një masivi dheu në fshatin Bërshi, ndërsa Rruga e Kombit mbetet e hapur në të gjithë segmentin e saj, me ndërhyrje të vazhdueshme për kriposje dhe pastrim.

Në malësinë e Krujës, reshjet e dëborës deri në 30 centimetra dhe ngricat kanë bllokuar rrugën Krujë–Qafshtamë, duke lënë të izoluar disa fshatra. Ndërkohë, në qarkun e Beratit dhe veçanërisht në bashkinë e Skraparit, disa akse rrugore mbeten të bllokuara, ndërsa mjetet e rënda po punojnë për hapjen e tyre dhe hedhjen e kripës.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar dhe theksojnë se përdorimi i gomave dimërore është i detyrueshëm në zonat ku ka dëborë dhe ngrica.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related