Pas 12 vitesh në pushtet, kryeministri Edi Rama po u premton sërish shqiptarëve “ëndrrën europiane” në një përpjekje, që sipas kundërshtarëve të tij politikë, nuk është e bazuar në realitet dhe synon që të mbulojë skandalet korruptive dhe dështimin e qeverisjes.
Kur mbeten ende 3 javë nga hapja zyrtare e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kryeministri Edi Rama ka nisur të artikulojë tezat e tij në kërkim të një mandati të katërt në qeverisje. Të enjten, Rama publikoi në rrjetet e tij sociale një poster me numrin 5, që tregon renditjen e Partisë Socialiste në fletën e votimit, duke kërkuar votat në këmbim të premtimit për “pasaportën europiane” ndaj shqiptarëve.
“Me thjesht një votë për mua dhe PS më 11 maj, çdo prind ka në dorë t’u japë fëmijëve të vet pashaportën e qytetarit shqiptar të Bashkimit Europian, e të mos i lerë të rriten si qytetarë të dorës së dytë në mes të Europës,” propagandoi Rama në Facebook, duke përdorur si simbol edhe flamurin e Bashkimit Europian.
Duke e përdorur procesin e integrimit në BE si kartë elektorale, kryeministri Rama u bën thirrje qytetarëve që të votojnë Partinë Socialiste, si e vetmja forcë sipas tij që mund ta fusë vendin në BE, duke premtuar në mënyrë të njëanshme edhe përfundimin e negociatave në vitin 2027.
Procesi i integrimit është një proces më shumë teknik dhe varet nga përmbushja e kritereve që i vendosen qeverisë shqiptare nga Brukseli. Aktualisht, Shqipëria ndodhet në fillim të rrugës për anëtarësim, pasi në dhjetor u mor vendimi për çeljen e negociatave për grup-kapitujt e parë, të ashtuqujturat “Themeloret”, që përfshijnë sundimin e ligjit dhe institucionet demokratike.
