Studentët pakësohen, godinat dhe mobilimet shtohen! Abuzimet “akademike” në universitete

Data

Gjashtë universitetet publike në rrethe, pavarësisht uljes së numrit të studentëve, i janë sulur ndërtimit të godinave. Në pesë vitet e fundit universitetet e kanë shpenzuar pjesën më të madhe nga të ardhurat e tyre për ndërtim, për rikonstruksion dhe për mobilim godinash dhe shumë pak pará shkojnë për kërkim shkencor, për libra dhe për laboratorë. Përmes shifrave fiktive të studentëve universitetet kanë mbajtur në punë stafet akademike në shkelje të ligjit dhe duke iu larguar përmbushjes së qëllimit si institucione të dijes.

Universitetet shpikin mekanizma, që po asgjësojnë cilësinë

Numri i studentëve në Universitetin e Korçës në 5 vitet e fundit është përgjysmuar; nga 4.261 studentë, që kishte në vitin 2018, sot ka 2.336 studentë. Në të njëjtën situatë gjenden edhe universitetet në Shkodër, në Elbasan, në Vlorë dhe në Gjirokastër. Vetëm Universiteti i Durrësit e ka ruajtur numrin e studentëve.

Universiteti “Fan Noli”, Korçë

Qershorin e vitit 2023 Senati Akademik i Universitetit të Korçës vendosi për bashkimin e tij me Universitetin e Tiranës. Rektori i Universitetit të Korçës, që tashmë është kthyer në Universitetin e Tiranës si profesor, Dhimitri Bello, pranoi se gjendja e universitetit kishte arritur në pikën kritike, përtej së cilës nuk mund të vazhdonte të ekzistonte si institucion i pavarur i arsimit të lartë. Bashkimi me Universitetin e Tiranës u konsiderua nga Bello dhe 17 anëtarët e Senatit Akademik si shpëtim për Universitetin e Korçës, por Ministria e Arsimit e ndaloi procesin e bashkimit të të dyja institucioneve. Ministria angazhoi një grup ekspertësh të diasporës për të reformuar dhe për të profilizuar Universitetin e Korçës.

Dyert e Universitetit të Korçës mbahen hapur nga të rinjtë, që zgjedhin programet e Infermierisë dhe ato dyvjeçare, të cilat kompensojnë mungesën e studentëve në programet e tjera. Kuotat e programeve Infermieri dhe Mami plotësohen 100% çdo vit akademik, ndërsa mbetet i lartë interesi edhe për 7 programet dyvjeçare. Pavarësisht fluksit në programet e Mjekësisë dhe në ato dyvjeçare, 15 programe nga 50 në total në Universitetin e Korçës janë mbajtur hapur edhe me 1 student.

Për drejtuesin e Qëndresës Qytetare, Migen Qiraxhi, orientimi i universiteteve drejt programeve dyvjeçare dhe atyre të Infermierisë cenon cilësinë e produktit akademik dhe stimulon largimin e të rinjve drejt vendeve të Europës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related