Shqipëria ndodhet në një udhëkryq, duke u përballur me sfida që rrezikojnë demokracinë, stabilitetin politik, zhvillimin ekonomik dhe kohezionin social. Nga shpopullimi dhe stanjacioni ekonomik, te ndikimet e rritura të fuqive të huaja, e ardhmja e vendit varet nga përkushtimi ndaj vlerave themelore që kanë mbështetur historikisht shoqëritë e lira dhe të pasura. Për t’iu përgjigjur kësaj nevoje urgjente, kemi themeluar Institutin Konservator Shqiptar (ACI) në bashkërendim me partnerët ndërkombëtar dhe faktorë të ndryshëm shqiptarë, si një think tank konservator, i përkushtuar për të formësuar lëvizjen konservatore në Shqipëri dhe më gjerë në Ballkan, si dhe për të ndihmuar partinë kryesore të së djathtës shqiptare.
Misioni i ACI-së është i qartë: të forcojë konservatorizmin dhe qendrën e djathtë në Shqipëri duke promovuar qeverisjen demokratike, sigurinë kombëtare dhe prosperitetin ekonomik. Instituti synon të frymëzojë një përqendrim të ri te vlerat e tregjeve të lira, lirive individuale, qeverisë së kufizuar, dhe shenjtërisë së pronës private dhe familjes.
Këto parime nuk janë ideale abstrakte, por themele praktike për t’u përballur me sfidat urgjente të Shqipërisë. Në një kohë kur stabilokracia—regjime që prioritizojnë stabilitetin mbi qeverisjen demokratike—përbën një kërcënim real, dhe aktorë gjeopolitikë të huaj synojnë të ndikojnë në çështjet e brendshme, ACI është i përkushtuar të mbrojë sovranitetin, integritetin territorial dhe krenarinë kombëtare të Shqipërisë.
Instituti Konservator Shqiptar përfaqëson diçka të re në arenën publike të vendit. Ai reflekton një përkushtim më të thellë për të forcuar dhe konsoliduar vlerat konservatore në Shqipëri, për të kujtuar dhe mbrojtur trashëgiminë e të djathtës në vend dhe për të ndihmuar në forcimin e saj për dekadat e ardhshme. Instituti është bashkëthemeluar nga një ekip dinamik profesionistësh dhe intelektualësh të rinj, duke përfshirë Nikola Kedhi, Ted Kopliku, Enri Ceno, Lindita Komani dhe Gent Trenova. Së bashku me disa nga ekspertët më të mirë që ofron vendi në fusha te ndryshme, si zoti Myqerem Tafaj, zoti Florion Mima, zoti Erion Dasho,zoti Albert Bikaj, zonja Melisa Braci, zoti Alfred Pllumbi, zonja Ina Xhakollari e të tjerë, ata sjellin një pasuri të jashtëzakonshme përvoje, integriteti dhe vizioni.
Një pjesë e konsiderueshme e këtij ekipi ka dëshmuar tashmë aftësitë vazhdimisht me daljet dhe kontributin e tyre publik apo duke organizuar disa nga eventet më të rëndësishme në Shqipëri.
Sfida me të cilat përballet Shqipëria sot kërkojnë jo vetëm masa reaktive, por edhe një vizion të plotë për të ardhmen. ACI është i përkushtuar të formësojë politika që i adresojnë këto sfida direkt. Veprimtaria e institutit përfshin fusha kritike si politika ekonomike, siguria kombëtare, arsimi, shëndetësia, qeverisja e mirë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Në zemër të vizionit të ACI-së është familja, e parë si gur themeli i një shoqërie të suksesshme. Duke prioritizuar politikat miqësore për familjen, ACI synon të ndryshojë tendencat shqetësuese si rënia e lindshmërisë dhe emigracioni masiv.
