Mesazhet e fshehta, tenderët pa garë dhe fituesit e paracaktuar: si u ndanë 450 milionë euro të Unazës së Madhe

Data

Në gjysmën e tenderëve të projektit më madhor infrastrukturor të kryeqytetit – me vlerë 450 milionë euro, pati vetëm një garues të kualifikuar, ndërsa shumica e ofertave fituese janë përafërta me fondin limit.

Më 10 shtator 2021, vetëm pesë ditë para mbylljes së afatit për dorëzimin e ofertave në shtatë tenderë për segmentet e Unazës së Madhe të Tiranës – një paketë prokurimesh me vlerë rreth 18 miliardë lekësh, apo 148 milionë euro me kursin e kohës, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku thirri me urgjencë në zyrë Evis Berberin, atëherë kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Takimi u zhvillua në orën 11 të paradites, sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme që më vonë vendosi pezullimin nga detyra të numrit 2 të qeverisë. Çfarë u diskutua në atë takim mbetet e paqartë. Por dy orë më vonë, shkëmbimet në telefon mes Ballukut dhe Berberit, zbulojnë mënyrën se se si përzgjidheshin përfituesit e parave publike.

“Prite pak Ilir Shtufin e Nova dhe bëja të qartë që shkon me EUT. Dhe mos ta shoh në vend tjetër,” i shkruante ministrja. Berberi e takoi Shtufin po atë pasdite dhe raportoi përsëri: “E takova ok.”

Sipas prokurorisë, “EUT” i referohej kompanisë “Euroteorema”, ndërsa “Nova” ishte “Nova Construction 2012”, biznesi i Shtufit. Katër ditë më pas, këto dy kompani dhe një e tretë, “PE-VLA-KU” sh.p.k., nënshkruan një marrëveshje ortakërie. Të nesërmen, më 15 shtator, u shpallën fitues të tenderit për ndërtimin e “Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”, me fond limit 2.5 miliardë lekë.

Për prokurorët, mesazhet e asaj dite janë prova që ministrja ndikoi drejtpërdrejt në formimin e bashkimit të operatorëve dhe, rrjedhimisht, në rezultatin e garës, një rezultat që, sipas tyre, u shoqërua me tolerime të pajustifikueshme nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, pavarësisht kritereve skualifikuese në dokumentacion.

Megjithëse hetimi i SPAK-ut fokusohet te Loti 4, një analizë e procedurave të prokurimit për të gjithë segmentet e Unazës së Madhe të Tiranës, e kryer nga BIRN, sugjeron se konkurrenca mes operatorëve ka munguar dhe ofertat që janë shpallur fituese kanë qenë shumë pranë fondit limit. Sipas ekspertëve të prokurimit publik, në këto raste shifra flasin qartë.

“Në tërësi, në këtë sektor, për shkak të përqendrimit të madh të fondeve buxhetore, lidhjeve të shkurtra të lobistëve vendas dhe ‘miqve’ të huaj të Kryeministrit Rama, korrupsioni mbetet një problem sfidues për SPAK-un dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese,” tha Zef Preçi, drejtor i Institutit për Studime Ekonomike.

Belinda Balluku u mor e pandehur dy javë më parë për akuzën e prishjes së barazisë në tendera. Të enjten ajo u pezullua nga detyra me vendim të Gjykatës Speciale dhe iu ndalua udhëtimi jashtë vendit.

Në një deklaratë në Kuvend të mërkurën ajo i cilësoi akuzat penale ndaj saj si baltë, aludime, gjysëm të vërtetat dhe gënjeshtra.”

Procedura të paracaktuara

Unaza e Madhe e Tiranës është projekti më i madh rrugor brenda kryeqytetit, një rrugë rrethore që synon të krijojë një qark lëvizjeje rreth Tiranës për të shmangur trafikun që kalon nëpër qendër të qytetit. Kjo rrugë ka një gjatë prej 28.7 kilometrash dhe për ndërtimin e saj janë prokuruar 45.9 miliardë lekë (450 milion euro).

Të dhënat e siguruara nga BIRN nëpërmjet ligjit për të drejtë informimi nga ARRSH, tregojnë se në vitin 2021, menjëherë pas zgjedhjeve të parlamentare, financimet për Unazën e Madhe pësuan një bum dhe u dhanë 7 tendera, duke regjistruar normën më të lartë vjetore të shpenzimeve buxhetore.

Mesazhet mes Berberit dhe një prej vartëseve të tij, të identifikuar si Miranda Shkurti, po ashtu nën akuzë për këtë tender, tregojnë se të enjten më 12 gusht 2021, zyrtarë të ARRSH-së punuan me orë të zgjatura për të bërë publike tenderat dhe për të plotësuar dokumentacionin e kërkuar në aplikacionin online të Agjencisë së Prokurimeve Publike.

Gjatë gjithë kohës Berberi, edhe ai pa gjumë, kontrollonte procesin. Në orën 23:09 ai i shkruan Shkurtit, shefe e prokurimeve publike në ARRSH: “Hidheni edhe pas 12 që nesër të rrimë rehat se do na tërbojnë”.

Nxitimi, siç del nga mesazhet, lidhej me kërkesën që ofertat duhej të hapeshin më 15 shtator dhe publikimi duhej të kryhej në kohë. Por hetimi, i fokusuar në Lotin 4, tregon se e gjithë procedura ishte një burokraci që nuk ndikoi fare në rezultatin përfundimtar.

Në fakt, bisedat e mëvonshme mes Ballukut dhe Berberit tregojnë se fituesit dhe mënyra se si do merrnin pjesë në garë ishin përcaktuar paraprakisht. Vetëm katër ditë para hapjes së ofertave për shtatë tenderat, Balluku orienton një bashkim kompanish për të marrë pjesë në njërën prej garave. Në mesazhe ajo kushtëzon njërën prej kompanive që pritej të ishte mes fituesve të mos merrte pjesë në garat e tjera.

Përveç kësaj, prokuroria thotë se ministrja dhe vartësit e saj bënë gjithçka gati që procesi të mbetej nën kontroll. Nga tetë pjesëmarrës në garë, shtatë u skualifikuan sepse nuk përmbushnin kriteret; mes tyre edhe një kompani që u shpall fituese në një lot tjetër të garave për Unazën e Madhe, të hapura po atë ditë. Më shumë se kaq, disa nga ofertuesit shkuan në tender “me duar në xhepa”: pa ofertë ekonomike, pa dokumente bazike si sigurimi i ofertës apo vetëdeklarimi.

Por, megjithëse gjithçka dukej e kopsitur dhe rivalët në garë të skualifikuar, prokuroria thotë se administratës nën varësinë e Ballukut iu desh të mbyllte sytë edhe para një sërë problemesh të operatorit fitues. Prokuroria gjeti se bashkimi i operatorëve, në kriterin e “punëve të ngjashme”, kishte paraqitur punime që nuk lidheshin fare me rrugët.

“Rezulton se objekti i këtyre kontratave të paraqitura si ‘punë të ngjashme’ është ndërtimi i objekteve të banimit, ndërsa objekti i kontratës së prokurimit ka të bëjë me punime ndërtimi për autostrada dhe rrugë,” thuhet në kërkesën për masë sigurie për Ballukun dhe të tjerët.

Prokuroria thotë se hetimet tregonin qartë se ministrja dhe vartësit kishin ndihmuar fituesin në mënyrë të paligjshme.

“Shtetasja Belinda Balluku, në cilësinë e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Evis Berberi; anëtarët e Njësisë së Prokurimit, Jonida Avdolli, Adrian Kroi, Denis Xhoxhi; si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, shtetasit Erald Elezi, Klarita Konomi, Miranda Shkurti, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë fitues ‘Euroteorema Peqin’ sh.p.k., ‘PE-VLA-KU’ sh.p.k. dhe ‘Nova Construction 2012’ sh.p.k., duke vepruar në kundërshtim me ligjin,” thuhet në dokument.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related