Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zgjeruar hetimin pasuror ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, duke kërkuar informacion nga 16 institucione shtetërore për një verifikim të plotë të pasurive të tij dhe familjarëve ndër vite.
Sipas burimeve pranë hetimit, kërkesat zyrtare janë shpërndarë në institucione si Tatimet, Doganat, Kadastra, ILDKPI, Bashkia e Tiranës dhe struktura të tjera përgjegjëse për administrimin e pasurive dhe transaksioneve financiare. Hetimi pasuror, mësohet se shtrihet që nga fillimi i viteve ’90 dhe përfshin kontrollin e pronave, llogarive bankare, aksioneve apo çdo përfitimi të mundshëm të regjistruar në emër të Berishës dhe personave të lidhur me të.
Ky zhvillim lidhet me fraksionimin e hetimeve në kuadër të dosjes së njohur si “Partizani”, ku SPAK po vijon verifikimet përtej çështjes së truallit të ish-Kompleksit Partizani, duke analizuar burimin e pasurive dhe rrjedhën financiare përgjatë dekadave.
Nga ana e tij, Sali Berisha reagoi pas paraqitjes në SPAK në kuadër të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, duke deklaruar se hetimi pasuror është i motivuar politikisht. Ai pretendoi se kërkesat për informacion janë dërguar brenda një dite në 16 institucione dhe se, sipas tij, procesi nuk ka lidhje me thelbin e dosjes penale.
Berisha akuzoi drejtuesit e SPAK për, siç u shpreh ai, “falsifikime” në dosjen “Partizani”, ndërsa theksoi se do të publikojë dokumente për të mbështetur pretendimet e tij.
Ndërkohë, nga SPAK nuk ka pasur koment zyrtar mbi deklaratat e ish-kryeministrit, por burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se hetimi pasuror është pjesë standarde e procedurave në rastet që përfshijnë dyshime për korrupsion dhe pastrim parash.
Zgjerimi i verifikimeve pasurore pritet të sjellë zhvillime të reja në javët në vijim, ndërsa përplasja politike rreth çështjes vijon të intensifikohet.
