“Mallkimi i Malzit: Njësia Administrative pa Investime dhe të Rrënuar nga Emigracioni”

Data

Malziu, njësi administrative në Bashkinë e Kukësit që nga viti 1990 e deri tani, nuk ka përfituar asnjë investim publik në infrastrukturë, as nga pushteti qendror dhe as nga ai vendor, edhe pse zona ka mjaft potenciale për të zhvilluar agroturizmin për shkak të shumëllojshmërisë së frutave, bimëve dhe sidomos gështenjave. Censi 2023 gjeti në këtë njësi vetëm 1600 banorë nga më shumë se 5 mijë që ishin në vitin 2001.

Besmiri, mësues biologjie, nga të paktët e brezit të ri që ka vendosur të ushtrojë profesionin në vendlindje në Njësinë Administrative Malzi, po përballet me vështirësi të shumëfishta gati njësoj me vitet kur Migjeni dha mësim në fshatrat e Pukës. Sipas tij, pushteti lokal nuk ofron asnjë shërbim që ka lidhje me problematikën e zonës.

Rrugët që lidhin të gjitha fshatrat e zonës me rrjetin nacional janë të pakalueshme, menaxhimi i mbetjeve nuk ekziston as si koncept, shërbimet shëndetësore dhe ato arsimore etj., kanë dobësi të thella dhe janë drejt shuarjes.

Si kjo njësi administrative janë me qindra në të gjithë vendin, të cilat janë mbuluar nga harresa, edhe pse buxheti i pushtetit vendor është rritur me 212% ndërmjet 2015-2024.

Vitin e kaluar, buxheti i pushtetit vendor arriti në 81 miliardë lekë ose 810 milionë euro, nga 26 miliardë lekë në vitin 2015. Buxheti në dispozicion të bashkive është rritur me më shumë se trefish në dekadën e fundit që kur nisi zbatimi i reformës.

Por më se gjysma e buxhetit po përdoret për shpenzimet e personelit duke mos justifikuar transferimin e disa funksioneve nga pushteti qendror. Stafet e bashkive shtohen vit pas viti ndërkohë që shpenzimet kapitale po vijnë në rënie në raport me madhësinë e buxhetit.

Hume Elezi, e cila është anëtare e Këshillit prej vitesh në Bashkinë e Kukësit, thotë se nga mandati në mandat, cilësia e stafit të bashkive është në rënie.

“Zyrat e bashkisë janë mbushur me emigrantë pa arsim. Emërimet nuk bëhen në bazë të nevojave që ka bashkia dhe aftësive, por sipas patronazhimit dhe prurjeve të votave”, – tha ajo. Gjithashtu, cilësia e anëtarëve në Këshill ka rënë dhe përfaqësimi i nevojave të njësive administrative nuk është real.

Në Bashkinë e Kukësit, së fundmi u shkarkua nënkryetari i bashkisë A.N. për shkak të urdhrit që lëshoi kryeministri. Në Bashki të tilla si Kukësi, që ka emigrimin të fortë të të rinjve, sidomos në dekadën e fundit, nuk është e lehtë të gjenden persona që ushtrojnë funksione në pushtetin vendor edhe për shkak të mungesës së përvojës.

Gerta Loku, anëtare e Këshillit Bashkiak të Mirditës, thotë se qeverisja në bashkinë e saj është më e vështirë për shkak të territorit të madh në administrim dhe numrit të pakët të banorëve.

Loku thotë se numri i banorëve në fshatra që kanë nevojë për infrastrukturë është shumë i vogël, duke e penguar bashkinë të bëjë investime në zona që nuk kanë më shumë se 30 banorë.

Mungesa e investimeve për shkak të numrit të pakët të banorëve i nxit ata që largohen dhe familjet e reja të mos nisin jetën në fshat. Problematikat e menaxhimit janë të njëjta në të gjitha bashkitë.

Florian Bjanku, anëtar i Këshillit Bashkiak në Shkodër, tha se nga pikëpamja e shërbimeve, Bashkia përballet me një sfidë të madhe në mbulimin e gjithë territorit të saj të zgjeruar. Ndërsa qyteti i Shkodrës përfiton disi më shumë vëmendje për shkak të qëndrimit të institucioneve, njësitë administrative përreth, nga Velipoja deri në Theth, shpesh trajtohen me një qasje dytësore.

“Kjo mungesë ekuilibri nuk është fenomen i ri. Edhe përpara reformës territoriale, dallimet mes qytetit dhe fshatit kanë qenë të ndjeshme. Por sot, me një territor më të gjerë dhe me më pak burime, situata është përkeqësuar.

Nuk ka ndodhur ende një decentralizim real, veçanërisht në aspektin fiskal. Kjo do të thotë që njësitë administrative nuk kanë kapacitete të veta as në vendimmarrje, as në financim dhe varen plotësisht nga qendra”, – shpjegoi Binjaku.

Shqipëria është ndoshta një ndër vendet e vetme në Europë që nuk ka një model të qartë zhvillimi kombëtar. Në këtë situatë, strategjitë e zhvillimit rajonal janë të fragmentuara dhe për zbatimin e tyre as që bëhet fjalë.

Për këtë arsye, gjatë periudhës së tranzicionit, Shqipëria po përjeton zhvillim jo të barabartë. Burimet ekonomike dhe të të ardhurave janë përqendruar në qendër të vendit, kurse rajonet mbeten të ekspozuara ndaj fenomenit të emigracionit dhe mungesës së planeve zhvillimore të qëndrueshme dhe varfërisë ekstreme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related