Prokuroria e Posaçme ka vendosur sekuestro mbi një apartament në Qerret të Kavajës, në pronësi të shtetasit kosovar Shemsi Bahtiri, i arrestuar nën dyshimet për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Sipas njoftimit, SPAK u vu në lëvizje pas një kërkese për ndihmë të ndërsjellë juridike nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila po heton Bahtirin për përfshirje në aktivitet të paligjshëm të trafikut të narkotikëve.
Bahtiri, ish-anëtar i Lëvizja Vetëvendosje, është arrestuar pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionin e koduar Sky ECC, të siguruara nga autoritetet franceze.
Në kuadër të verifikimeve, SPAK konstatoi se në emër të tij është regjistruar subjekti “DAIMAN” shpk, me objekt veprimtarie “shitblerje e pasurive të paluajtshme”, si dhe një apartament në Qerret, i cili tashmë është vendosur nën masë sekuestroje.
Shemsi Bahtiri akuzohet për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “blerja, posedimi dhe shpërndarja e narkotikëve” dhe “pastrim parash”. Arrestimi i tij u krye në kuadër të operacionit të koduar “Qielli i Thyer”, gjatë të cilit u sekuestruan lëndë narkotike, shuma parash, armë, pajisje elektronike dhe dokumentacion i ndryshëm.
Hetimet vijojnë për identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera të dyshuara me burim kriminal.
