Prokuroria e Posaçme (SPAK) dyshon se një grup i strukturuar kriminal ka organizuar një sulm kibernetik më 12 mars kundrejt emailieve të disa prej prokurorëve të posaçëm. Pas 3 javësh nga sulmi, SPAK dhe autoritetet nuk kanë dhënë asnjë të dhënë edhe për arrestimin e dy ish-zyrtarëve për këtë sulm, por reagimi i djeshëm përmes një deklarate publike për mediat erdhi vetëm pas lajmeve që qarkulluan në media se hakerët arritën të merrnin informacione nga kompjuterët e 3 prokurorëve të posaçëm, Behar Dibra, Enkeleida Millonai dhe Elida Kaçkini. Sipas, SPAK hakerët nuk kanë mundur të depërtojnë në sistemin e brendshëm të IT që sipas tyre mbetet i pacënuar, por kanë arritur që të marrin të dhënat nga adresat e emaileve të disa prokurorëve, por s’ka rrjedhje të dosjeve hetimore.
Detajet nga SPAK
Hakerët kanë tentuar që të ndërhyjnë edhe në emailin e kryeprokurorit Altin Dumani, por sipas SPAK nuk kanë pasur sukses falë masave të sigurisë. “Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mori informacion në datën 12 mars 2025 se ishte vënë në shënjestër të një ndërhyrje të paligjshme të adresave të email-eve të prokurorëve të posaçëm. Falë masave të sigurisë, nuk u arrit të ndërhyhej në sistemin e brendshëm të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), i cili mbetet i pacënuar.
