Gjykata e Lartë e Shqipërisë do të shqyrtojë sot në orën 15:00 rekursin e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku lidhur me masën “ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Pasaporta e saj është bllokuar që prej 19 nëntorit me vendim të GJKKO, në kuadër të hetimeve për shkelje të barazisë në tenderë. Balluku është nën hetim edhe për disa çështje të tjera, përfshirë lotet e Unazës së Madhe dhe tenderë të tjerë publikë.
Vendimi për rekursin do të merret nga gjyqtari Ilir Panda, i cili do të vendosë nëse do t’i rikthehet apo jo e drejta për të udhëtuar jashtë vendit.
Në të njëjtën seancë pritet të shqyrtohet edhe ankimi i Erald Elezi, ish-kreu i KESH, i cili kërkon heqjen e masës “arrest shtëpie”, ku ndodhet aktualisht për akuza të ngjashme lidhur me tenderë në Tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe.
Ndërkohë, ish-kreu i ARRSH-së, Gentian Gjyli, nuk e ka ankimuar masën e sigurisë ndaj tij.
