Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka reaguar pas interesimit të disa mediave ndërkombëtare lidhur me projektet turistike në bregdetin shqiptar që janë përmendur në raportime në lidhje me Jared Kushner.
Në përgjigjet e dërguara për media si Fox News, CNN, The New York Times, CBS News, The Times, Anadolu Agency dhe të tjera, SPAK sqaron se nuk ka asnjë hetim të hapur që lidhet me Jared Kushner apo me ndonjë projekt të lidhur me të.
Institucioni konfirmon se ka regjistruar një hetim, por thekson se ai nuk ka lidhje me objektin e pyetjeve të paraqitura nga mediat. SPAK shton se, për shkak të sekretit hetimor dhe konfidencialitetit të procedurave paraprake, nuk mund të bëhen publike detaje të mëtejshme.
Në një prej përgjigjeve, SPAK mohon gjithashtu raportimet se ka vendosur masa sekuestrimi preventiv mbi llogaritë bankare të kompanisë Albania Land Development, duke deklaruar se një masë e tillë nuk është urdhëruar.
Mediat ndërkombëtare kërkuan sqarime mbi çështje që lidhen me projektet e propozuara në Sazan, Zvërnec dhe zonën Vjosë–Nartë, ndryshimet ligjore të vitit 2024, transaksionet e pronave, si dhe kërkuan intervista dhe dokumentacion zyrtar mbi procedurat e SPAK.
Në përgjigjet e saj, Prokuroria e Posaçme përsërit se nuk mund të japë informacione shtesë për procedimin e regjistruar për sa kohë ai ndodhet në fazën paraprake të hetimit, duke iu referuar detyrimit ligjor për ruajtjen e konfidencialitetit.
Sqarim: Procedurat hetimore janë në vijim. Informacionet e bëra publike nga SPAK nuk nënkuptojnë përgjegjësi penale për asnjë person apo subjekt. Çdo pretendim ose dyshim do të vlerësohet nga organet kompetente, ndërsa personat e përfshirë prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
