Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka deklaruar se Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm në reformat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke e cilësuar këtë si një moment kyç për vendin.
Gjatë një videomesazhi, ajo theksoi se vizita e misionit vlerësues të MONEYVAL përfaqëson një vlerësim të rëndësishëm për rrugën e ndjekur nga Shqipëria. Sipas saj, dalja nga lista gri e FATF në vitin 2023 dhe përmirësimi i treguesve ekonomikë janë dëshmi e këtij progresi.
Koçiu nënvizoi se formalizimi i ekonomisë dhe masat kundër pastrimit të parave kanë rritur besimin në sistemin bankar dhe kanë sjellë më shumë investime. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e reduktimit të përdorimit të parasë cash dhe kalimit drejt një ekonomie më të digjitalizuar dhe të gjurmueshme.
Sipas të dhënave të prezantuara, në fillim të këtij viti janë regjistruar 30% më shumë transaksione online dhe 25% rritje e transaksioneve në euro. Ndërkohë, kreditimi i ekonomisë është rritur me 13%, ndërsa investimet e huaja direkte kanë arritur mbi 1.5 miliardë euro.
Një tjetër tregues i përmendur ishte edhe rritja e rasteve të sekuestrimit të aseteve me origjinë të dyshimtë, të cilat sipas Koçiut janë trefishuar.
Në përfundim, ajo garantoi se qeveria do të vijojë me reformat për forcimin e sistemit financiar, duke përdorur edhe teknologji të avancuara dhe inteligjencë artificiale për monitorimin e transaksioneve të dyshimta.
