SPAK mësyn tek AKSHI për tenderin 16.5 mln euro të laboratorëve, sekuestrohen kompjutera dhe telefona, prokurorët specialë nisin hetim pasuror për Linda Karçanajn

Data

Prokuroria e Posaçme zhvilloi dje paradite një aksion të madh në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Sipas Kapitali.al, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë mësyrë në zyrat e AKSHI-t duke sekuestruar kompjuterë dhe telefona në kuadër të një hetimi për korrupsion. Burime konfidenciale thanë se bëhet fjalë për tenderin laboratorëve smart në shkollat 9 vjeçare. Ky tender u vesh me dyshime të forta për parregullsi, kur në datën e parashikuar të garës AKSHI ndryshoi kriteret. Me një fond limit prej 1.66 miliardë lekësh ose 16.5 milionë euro, tenderi parashikonte pajisjen e rreth 216 shkollave në rang vendi me klasa laboratorike. Këto klasa përmbanin nga 14-19 lap top dhe pajisjet e tjera në funksion të tyre. Pra rreth 80 mijë euro kosto për çdo klasë, një çmim dukshëm i fryrë. Pas ndryshimit të kritereve, në ditën e garës, tenderi u fitua nga kompania Albascan, një firmë e cila është ngjitur rrufeshëm duke u shndërruar në një nga përfituesit më të mëdhenj të fondeve të AKSHI-t, edhe pse në vitin 2017 kjo kompani kishte një xhiro të papërfillshme.

Tenderat në orbitën e SPAK

Me sa duket tenderat e AKSHI-t tashmë kanë hyrë në orbitën e SPAK. Mësohet se hetuesit e BKH kanë sekuestruar një sërë kompjuterash dhe materialesh në cilësinë e provës. Veç këtyre janë sekuestruar edhe telefonat e disa punonjësve, ndërkohë që një tjetër procedurë e cila po verifikohet është ajo e sistemit elektronik të burgjeve, që u përfshi nga skandali, kur në një burg të vendit ndodhi vrasje me armë zjarri dhe u konstatua se kamerat nuk punonin prej muajsh, edhe pse paratë paguheshin tek kompania private. AKSHI është një nga institucionet më të përfolura për korrupsion në vend. Ky institucion vitet e fundit është përfshirë në disa skandale të madhe, që nga cenimi i të dhënave personale të qytetarëve e deri tek dyshimet për përdorimin e tyre për qëllime politike.

Hetim pasuror për drejtuesen e AKSHI-t

Me gjithë këto skandale dhe akuza, SPAK ka futur në sitë pasurinë e drejtueses së AKSHI-t Mirlinda Karçanaj. Me aq sa është bërë dije dhe për publikun, Karçanaj ka zbarkuar dy herë brenda SPAK duke u marrë në pyetje për çështje të ndryshme. Herët e fundit, ajo është pyetur lidhur me hetimet mbi ish-kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Evis Berberin dhe tenderat e mirëmbajtjes se serverëve të ARRSH. Kujtomë se më 16 mars 2024, GJKKO caktoi masën “arrest me burg” për ish-kreun e ARRSH-së, Evis Berberi dhe dy biznesmenët, Ervis Lami dhe Valter Begaj. Gjithashtu herën e parë, Karçanaj  është marrë në pyetje në lidhje me padinë e dorëzuar nga eksperti i IT-së, Gent Progni vitin e kaluar pas sulmeve kibernetike nga hakerat iranianë. Ai dorëzoi kallëzimin penal për shpërdorim detyre për zyrtarët e AKSHI-t, pikërisht të atyre personave që kishin për detyrë ruajtjen nga sulmet kibernetike të të gjithë sistemit. Në lidhje me paraqitjen në SPAK të drejtoreshës së AKSHI-t Mirlinda Karçanaj reagoi edhe vetë Gent Progni, i cili në një postim në rrjetet sociale shkruan: “Në një reflektim të turbullt në derën e SPAK – Mirlinda Kërcanaj u paraqit për të dhënë dëshminë e saj për kallëzimin tim! Sa më shpejt dënohet aq më shumë mundësi kemi për të ruajtur sadopak të dhëna që kanë mbetur pa dalë dhe shumë para nga taksat tona s’do të vidhen më!”. Ndërkohë kujtojmë se eksperti i IT, Gent Progni në një postim në rrjetet social bëri me dije se ka hedhur një kallëzim penal në SPAK për subjektet Soft&Solution, Fastech dhe ABS-Advanced Business. Këto subjektet sipas Prognit pasi përfitojnë tenderat qarkullojnë vlerat financiare me njëra-tjetrën nëpërmjet kompanive “satelit që janë Mega Distribution dhe Bicontal Solution. Gjithashtu, Progni në kallëzim ka kërkuar ndjekje penale edhe për drejtoren e AKSHI-t Mirlinda Karcanaj dhe drejtorin e AKCESK Igli Tafa.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related