A ka plasur sherri Rama-Veliaj, nga retushimi i fotos, te deklarata se shkoi në Bashkinë e Tiranës vetëm për Ali Ahmetin dhe zërat se kryebashkiaku është shkarkuar si drejtues politik i PS

Data

Tensionet në arenën politike dita-ditës sa vijnë dhe po agravohen. Shigjeta e sulmeve e kryeministrit Edi Rama, ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-presidentit Ilir Meta është drejtuar drejt Erion Veliaj. Kryebashkiaku po përballet me skandalet që kanë plasur në Bashkinë e Tiranës me dosjen “5 D”, si edhe me aferën e inceneratorit të Tiranës, për të cilat dha llogari para pak ditësh duke u marrë në pyetje për 8 orë në SPAK. Deri më tani, Rama ka futur “mashat” e tij. I gjithë enturazhi i tij mediatik i blerë, nga mëngjesi në darkë ka shtuar sulmet ndaj Veliajt, pasi në PS e shohin si lojtarin më të fuqishëm në betejë. Ose është edhe karta e fundit që përdor zakonisht Edi Rama me bashkëpunëtorët e tij. Kur janë drejt përballjes me SPAK, ai i lëshon dhe thotë në fund se kanë ngrënë dardha pas shpine. Dy ditë më parë, Edi Rama ishte i pranishëm në Bashki për rastin e dhënies së titullit Qytetar Nderi i Tiranës për Ali Ahmetin. Rama deklaroi se në këtë godinë mund ta sillte vetëm Ali Ahmeti. Kjo nënkupton që po kërkon të rrijë larg Veliajt dhe Bashkisë së baltosur nga skandali i korrupsionit “5D” dhe së fundmi u kujdes edhe që të shmangë shpërndarjen e fotos së përbashkët me Veliajn. Në Facebook, Rama postoi foton në të cilën ka qenë edhe Veliaj, por e ka prerë këtë të fundit, i pozicionuar në cep të fotos.

A është shkarkuar Veliaj si drejtues politik i PS?

Gjithashtu së fundmi ka patur zëra se kryeministri Edi Rama e ka hequr kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj si drejtues politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës. Ishte gazetari Poli Hoxha, i cili tha se Rama e ka zëvendësuar Veliajn në këtë post me ministrin e Jashtëm Igli Hasani. Ky fakt ende nuk është bërë publik për mediat, por nëse do të jetë i vërtetë, atëherë le dyshime të forta se kreu i Qeverisë ia ka “lëshuar” kryebashkiakun e Tiranës, SPAK-ut, pasi të njëjtën gjë bëri dikur dhe me Arben Ahmetajn, duke e zhveshur nga çdo post në parti dhe në qeveri. “Rasti më i rëndë më duket rasti i Erion Veliajt. Sepse në dijeninë time, është më i implikuari nga të gjithë kolegët e vetë. Shumicat e kolegëve i ka ose në burg ose nën hetim që janë kryebashkiakët. Kolegët e tjerë ka politikanët socialistë që ata madje e kanë braktisur. Nga pikëpamja politike jam dakord që ka marrë fund. Unë po të jap edhe një informacion, që nga dje nuk është shpallur zyrtarisht por madje nuk është më as drejtues politik. Është lëshuar edhe politikisht nga Edi Rama. Këto ditët e fundit me partinë e Tiranës është caktuar zoti Igli Hasani, ministri i Jashtëm që të merret”, tha Poli Hoxha. Nga ana tjetër, ish-ministri Ylli Manjani ka thënë së fundmi se Rama ja ka hequr mbrojtjen Veliajt, madje e ka edhe gati njeriun që do të udhëheqë fushatën e PS në Tiranë për zgjedhjet e ardhshme. “Unë shoh prej kohësh nervozizmin e Veliajn në të shprehur, ai bëri një lajm nga asgjëja, e thirrën në SPAK, që nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme, komenti i tij bëri lajm. Ka një siklet të jashtëzakonshëm, kërkon mbrojtje nga PS. Veliaj është si Basha, janë mbrojtur nga Rama dhe Berisha. Unë mendoj se Rama ja ka hequr mbrojtjen Veliajt. Kali i betejës në fushatën e ardhshme do jetë Blendi Gonxhe. Kjo është struktura e PS që në 2000, që ka ngritur Edi Rama dhe ja ka dhënë gati Veliajt, këta pa Ramën janë të mbaruar të gjithë”, tha Manjani.

Veliaj në qendër të sulmeve

Prej një kohe të gjatë zoti Veliaj ka qenë në qendër të sulmeve të opozitës, e cila e konsideron atë si personin kyç për rastin e inceneratorit të Tiranës. Një akuzë të ngjashme lëshoi ndaj tij, por pa ofruar prova e fakte, edhe ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, në arrati që prej verës së shkuar, pasi Prokuroria e Posaçme, kërkoi arrestimin e tij, po për çështjen e inceneratorëve. Në gusht të vitit të kaluar, Prokuroria e posaçme vuri nën sekuestro impiantin e trajtimit të mbetjeve në Tiranë. Kontrata për ndërtimin e tij, me kosto të investimit të parashikuar prej 128 milionë euro (pa TVSH) u firmos nga kompania “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k dhe Ministria e Mjedisit, në vitin 2017. Por ende pas 7 vitesh, impianti i djegies nuk ekziston, dhe gjithçka funksionon vetëm si një landfill i zakonshëm. Sipas Prokurorisë e Posaçme, dy sipërmarrësit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” dhe të impiantit të Tiranës, sikundër dhe në dy të tjerët në Elbasan dhe Fier. Në muajin dhjetor, Gjykata e Posaçme firmosi, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, 15 urdhëra arresti, si pjesë e hetimeve për inceneratorin e Tiranës, nga të cilët 6 me arrest shtëpie. Mes të arrestuarve ishte dhe Taulant Tusha, Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, një nga postet më të rëndësishme dhe më me peshë, i konsideruar si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të kryebashkiakut Erion Veliaj. Në arrest përfundoi dhe për një tjetër ish drejtor i Bashkisë, ndërkohë urdhërat e Prokurorisë prekën sërish dhe ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka, si dhe ish deputetin socialist Alqi Bllako, si dhe dy sipërmarrësit Mërtiri e Zoto.

Veliaj hedh poshtë akuzat

Zoti Veliaj ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur dyshimet për përfshirjen e tij në rastin e inceneratorit të Tiranës me të cilin, siç është shprehur “e vetmja gjë që më ka lidhur, ka qenë pastrimi i qytetit”. Në mars të këtij viti, Bashkia e Tiranës mori një tjetër goditje kur dy ish drejtuesë në Bashkinë e Tiranës, Redi Molla, dhe Maringlen Qato, u arrestuan nën dyshimet për “korrupsion pasiv” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”. Një urdhër i dytë arresti, u lëshua dhe për Taulant Tushen. Ai dyshohet për “shkelje të barazisë në tendera”. Ish drejtorët, Molla dhe Qato, dyshohet të jenë pronarët realë të kompanisë 5D, e cila, sipas hetimeve të deritanishme, ka përfituar në mënyrë të parregullt, tendera nga agjensitë në varësi të Bashkisë. Në një dalje të gjatë publike në fillim të muajit, zoti Veliaj u distancua nga ish drejtorët e tij, duke deklaruar se cilido person i përfshirë, duhet të përballet vetë me drejtësinë. Opozita, e cila ka kërkuar daljen e zotit Veliaj përpara Këshillit Bashkiak për të dhënë shpjegime, prej disa javësh ka organizuar protesta përpara Bashkisë, me thirrjet për dorëheqjen e tij. Protestat janë shoqëruar me tensione me forcat e shumta të policisë si dhe me episode të dhunshme, të lëshimit të molotovëve drejt hyrjes së godinës së Bashkisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related