SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 24 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash, në kuadër të dosjes së njohur si grupi i Elvis Doçi.
Sipas SPAK, grupi dyshohet se ka trafikuar rreth 1.3 ton kokainë dhe mbi 500 kilogramë kanabis gjatë viteve 2020-2025, me aktivitet të shtrirë në Shqipëri, Itali, Holandë, Francë dhe Britani.
Mes të pandehurve kryesorë janë Elvis Doçi, Olgert Shqevi dhe Indrit Tafili, të akuzuar për:
- trafikim narkotikësh,
- pastrim të produkteve të veprës penale,
- pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
SPAK bëri të ditur se hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Antimafia të Barit në Itali, në kuadër të një Skuadre të Përbashkët Hetimore.
Sipas dosjes hetimore, grupi kriminal organizonte importimin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut drejt vendeve të Bashkimit Europian, ndërsa të ardhurat nga aktiviteti kriminal transportoheshin përmes autobusëve të linjave ndërkombëtare për të shmangur kontrollin financiar.
Hetuesit kanë dokumentuar komunikime të të pandehurve në platformën e koduar SkyECC.
Sasitë e drogës të sekuestruara
Sipas SPAK, gjatë operacioneve janë sekuestruar:
- 932 kg kokainë në Reggio Calabria,
- 2020 kg kokainë në Rotterdam,
- 400 kg hashash në Bari,
- dhjetëra kilogramë kokainë dhe marijuanë në qytete të ndryshme italiane.
Në total janë sekuestruar mbi 4 milionë euro cash.
Pasuritë e sekuestruara
Në kuadër të hetimit pasuror, SPAK ka sekuestruar pasuri të konsiderueshme në Durrës, përfshirë:
- apartamente,
- njësi tregtare,
- truall,
- ndërtesa dhe kompani ndërtimi.
Vlera totale e pasurive të sekuestruara llogaritet rreth 12 milionë euro.
SPAK theksoi se çdo person prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
