SPAK mbyll hetimet për aferën “Partizani”, avokatët tërheqin aktet hetimore për 5 të pandehurit, reagon i tmerruar…

Data

Ashtu siç gazeta e ka paralajmëruar, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka mbyllur dje zyrtarisht hetimet për aferën “Partizani”, duke shkaktuar shqetësim te figura politike si ish-kryeministri Sali Berisha. Avokatët e të pandehurve kanë tërhequr aktet hetimore, duke lënë hapur dyshime mbi transparencën e procesit. Berisha ka reaguar me nervozizëm, duke e akuzuar kreun e SPAK, Altin Dumanin dhe amerikanët për ndërhyrje.k

Detajet

Kështu avokatja Klodiana Gjyzari u paraqit dje në orën 10.00 në Prokurorinë e Posaçme, për të firmosur mbylljen e hetimeve të dosjes “Partizani”, për financieren Andia Pustina. E njëjtë avokate mbron edhe ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ajo shkoi sërish në SPAK në orën 12.00 për të firmosur edhe për të si dhe për të tërhequr të gjitha aktet hetimore. Ndërsa në orën 09.00 në dyert e SPAK mbërriti edhe mbrojtësi ligjor i Xhimi Begeja, po për të kryer të njëjtën procedurë. Prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai kishin thirrur në orën 14.00 Jamarbër Malltezin, që po ashtu përmes avokatit të tij u njoh me përfundimin e hetimeve. Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet për privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”, teksa thirri të pandehurit të vinin në SPAK për të firmosur përfundimin e dosjes. Më herët, Struktura e Posaçme i komunikoi akuzën pesë të pandehurve, Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, Fatmir Bektashi, Andia Pustina dhe Xhimi Begeja.

Berisha sulmon Dumanin: Rama dhe xhelatët e SPAK fshehën dokumentet zyrtare

Por ndërkohë që SPAK mbylli zyrtarisht hetimet për dosjen “Partizani”, ish-kryeministri Sali Berisha doli në një videokonferencë për mediat, ndërsa theksoi se ky është një akt i shëmtuar, teksa hodhi akuza të rënda ndaj prokurorëve të SPAK, duke i cilësuar si xhelatë dhe ndrikulla. “Edi Rama kreu i narkoshtetit shqiptar, Altini i pyetjes 1 milionë euro dhe tre apartamenteve, ish xhelati Kraja, ndrikulla Millonai dorëzuan avokatëve të mi në mënyrë përfundimtare dosjen për klubin Partizani me akuzën për korrupsion pasiv për Sali Berishën dhe të njëjtën akuze, por shtuar edhe për pastrim parash për Jamarbër Malltezin.

Ky akt i paprecedentë, i bazuar në një piramidë falsifikimi dhe fshehje të dokumenteve zyrtare do të gdhendet në memorien e kohës si një nga veprat më të shëmtuara të narkoshtetit në Shqipëri. Në këtë piramidë, prokurorët politikë të prokurorisë private të Ramës kanë rreshtuar duke i shumëzuar për dy të gjitha mashtrimet e renditura në dokumentin me të cilin ata shpallën në hetim Berishën dhe Malltezin dhe vendosën në kundërshtim me kushtetutën dhe konventës evropiane, arrestin në shtëpi dhe komunikimin me çdo person tjetër përveç familjarëve dhe ndalimin e ndjekjes së kuvendit, ndonëse pa asnjë masë dënimi siç kërkojnë ligjet”, deklaroi Berisha.

Sali Berisha sulmon amerikanët

Nga ana tjetër, ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar dje diplomatin e lartë amerikan të DASH, Gabriel Escobar, duke thënë se ai dhe ish-ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim janë të korruptuar dhe kanë kërkuar që SPAK të niste procesin gjyqësor ndaj tij. “Ky proces politik kundër Sali Berishës erdhi pas kërkesës së përsëritur të diplomatëve të korruptuar amerikanë Gabriel Eskobar dhe Juri Kim. Kësaj të fundit i kisha denoncuar publikisht në mënyrë të përsëritur aktet e saj korruptive”, u shpreh Berisha në një komunikim live me gazetarët. Sipas ish-kryeministrit, masa e sigurisë ndaj tij ka ardhur fill pas Asamblesë Kombëtare të PS dy vite më parë. “Pas kërkesës publike të Edi Ramës në asamblenë e partisë së tij në vitin 2022, që Sali Berisha të persekutohej, të ndiqej, të penalizohej.” Lideri demokrat është marrë zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme dhe është njohur me akuzën, por sërish thotë se procesi ndaj tij është fund e krye një piramidë mashtrimi.

“Ky akt i paprecedent, i bazuar në një piramidë fund e krye mashtrimi, falsifikimi dokumentesh, manipulimi dhe fshehje të dokumenteve zyrtare, do gdhendet në muret e kohës si një nga veprat më të shëmtuara të narkoshtetit në Shqipëri. Në këtë piramidë, prokurorët politikë të prokurorisë private të Edi Ramës kanë rreshtuar duke i shumëzuar për dy të gjitha mashtrimet e renditura në dokumentin me të cilin ata shpallën nën hetim Sali Berishën dhe Jamarbër Malltezin, dhe vendosën në shkelje të rëndë të Kushtetutës, Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe ligjeve të vendit, arrestin e tij në shtëpi, ndalimin e komunikimit të tij me çdo person tjetër përveç familjarëve të afërt dhe ndalimin e ndjekjes së punimeve të parlamentit si deputet i zgjedhur nga qytetarët, ndonëse pa asnjë masë dënimi siç kërkojnë ligjet për këtë vendim”, përmbyll Sali Berisha.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related