SPAK kundërshton kërkesat e Ilir Beqajt në dosjen e “Sterilizimit”, seanca shtyhet për në 11 shtator

Data

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar rrëzimin e 23 kërkesave të paraqitura nga ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në procesin gjyqësor që lidhet me dosjen e njohur si “Sterilizimi”.

Gjatë seancës gjyqësore, prokurori i SPAK, Edvin Kondili, argumentoi se kërkesat e mbrojtjes janë të pabazuara në ligj dhe se shumica e pretendimeve të ngritura nga Beqaj janë trajtuar më herët gjatë fazës hetimore dhe në seancën paraprake.

Sipas prokurorit, kundërshtimet lidhur me njoftimin e akuzës, vlefshmërinë e provave elektronike, cilësimin juridik të veprave penale dhe burimet e provës nuk gjejnë mbështetje ligjore dhe për këtë arsye duhet të rrëzohen.

Lidhur me pretendimin e mbrojtjes për mungesën e kontratës origjinale të koncesionit, SPAK sqaroi se dokumenti origjinal nuk është gjetur në Ministrinë e Shëndetësisë, çka sipas organit të akuzës përbën një parregullsi administrative. Megjithatë, prokuroria theksoi se është administruar një kopje e njësuar e kontratës në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe se mungesa e origjinalit nuk e bën të pavlefshme provën.

Nga ana e tij, Ilir Beqaj kundërshtoi qëndrimin e SPAK-ut, duke pretenduar se gjatë hetimeve janë shkelur të drejtat procedurale të mbrojtjes dhe se akuza nuk është formuluar në mënyrë të qartë.

Ish-ministri ngriti gjithashtu pretendime lidhur me mënyrën e administrimit të provave elektronike, mungesën e veprimeve hetimore në një periudhë të caktuar kohore dhe kërkoi që gjykata të urdhërojë SPAK-un të paraqesë informacion mbi certifikimin e laboratorit që ka kryer ekspertimin e të dhënave elektronike.

Gjykata nuk dha një vendim mbi kërkesat e palëve në seancën e së premtes dhe vendosi ta shtyjë shqyrtimin e çështjes. Seanca e radhës është caktuar të zhvillohet më 11 shtator.

Sqarim: Ilir Beqaj prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related