Kryeministri Edi Rama ka komentuar debatin e zhvilluar ditët e fundit mes deputetes së Partisë Socialiste, Briseida Çakërri, dhe analistit Lutfi Dervishi lidhur me zhvillimet e kursit të këmbimit të euros ndaj lekut.
Gjatë një takimi me sipërmarrës në Tiranë, Rama mbrojti qëndrimin e deputetes socialiste, duke argumentuar se zhvillimet në kursin e këmbimit duhen parë si forcim i monedhës kombëtare dhe jo si rënie e euros.
“E vërteta është që nuk ka rënë euro, por është forcuar leku. Leku është pasqyrë e një ekonomie tjetër nga ajo që ishte para pesë vitesh”, u shpreh kryeministri.
Pa ia përmendur emrin, Rama kritikoi analistin Lutfi Dervishi, duke vënë në diskutim kompetencën e tij për të komentuar çështje ekonomike dhe financiare.
Debati nisi gjatë një interviste televizive, ku Dervishi i kërkoi deputetes Çakërri të shpjegonte zhvlerësimin e euros dhe ndikimin e tij në ekonomi. Deputetja u përgjigj se fenomeni lidhej me forcimin e lekut, ndërsa analisti argumentoi se kjo nuk përputhej me zhvillimet inflacioniste, duke sjellë një debat mbi interpretimin ekonomik të kursit të këmbimit.
Në fjalën e tij, Rama foli edhe për ecurinë e ekonomisë shqiptare, duke theksuar se hyrja e valutës nga turizmi, investimet e huaja dhe remitancat ka ndikuar në forcimin e lekut.
Sipas kryeministrit, ekonomia shqiptare ka përfituar nga rritja e të ardhurave nga jashtë, ndërsa ai hodhi poshtë pretendimet se këto zhvillime lidhen me pastrimin e parave. Rama deklaroi se institucionet shqiptare, përfshirë SPAK-un, po veprojnë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke e cilësuar këtë si dëshmi të funksionimit të mekanizmave të shtetit të së drejtës.
Debati mbi kursin e këmbimit të euros dhe faktorët që ndikojnë në forcimin e lekut ka vijuar të jetë pjesë e diskutimeve publike mes përfaqësuesve të politikës, ekspertëve të ekonomisë dhe analistëve.
