Bregdeti në Lezhë i ndotur / Pas përmbytjeve “hakmerret” deti, inerte dhe plastikë mbulojnë plazhin e Tales

Data

Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë lënë pasoja të rënda në vijën bregdetare të Lezhës. Pas përmbytjeve, deti ka nxjerrë në breg sasi të mëdha mbetjesh, duke mbuluar me inerte, trungje drurësh dhe plastikë plazhet e zonës.

Rritja e ndjeshme e prurjeve të lumenjve Buna, Drin dhe Mat ka transportuar drejt detit mbetje të shumta, të cilat janë grumbulluar përgjatë vijës bregdetare. Situata është bërë më e dukshme pas tërheqjes së ujit, sidomos në plazhet e Shëngjinit dhe Tales, ku zona të tëra janë mbuluar nga ndotja.

Pamjet tregojnë një gjendje alarmante mjedisore, me mbetje plastike, degë pemësh dhe materiale inerte të shpërndara në gjithë vijën e rërës. Përveç dëmtimit të pamjes turistike, kjo ndotje përbën rrezik serioz për ekosistemin detar dhe biodiversitetin e zonës.

Me përmirësimin e kushteve atmosferike, autoritetet lokale kanë nisur ndërhyrjet për pastrimin e vijës bregdetare. Mjete dhe punonjës janë angazhuar për largimin e mbetjeve dhe rikthimin gradual të hapësirave publike në gjendje normale.

Aksioni i pastrimit do të vijojë edhe në ditët në vijim, pasi prurjet e lumenjve mbeten ende një faktor ndikues në ndotjen e bregdetit të Lezhës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related