SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, Balla: Kuvendi është palë në çështje, Këshilli i Mandateve nuk mblidhet pa vendimin e Kushtetueses

Data

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar se Këshilli i Mandateve nuk do të mblidhet për çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, derisa Gjykata Kushtetuese të japë një vendim përfundimtar. Deklarata u bë nga Kryesia e Kuvendit, në një moment kur SPAK ka paraqitur kërkesë për arrestimin e Ballukut.

“Po rikujtoj një diskutim që kemi bërë në Këshillin e Mandateve dhe jam 100% i bindur që kam të drejtë. Sa kohë Kuvendi është palë në çështje në Gjykatën Kushtetuese, duhet të presë vendimin e GJK. Në vlerësimin tim, ky është qëndrimi korrekt”, u shpreh Balla.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur pozita e zëvendëskryeministres Balluku është rënduar ndjeshëm përballë drejtësisë. Fillimisht ajo kishte marrë cilësinë e të pandehurës për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në lidhje me tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, si dhe ishte nën hetim për lotin 4 të Unazës së Madhe.

Megjithatë, SPAK ka njoftuar se hetimet ndaj Ballukut janë zgjeruar, duke e marrë atë zyrtarisht nën hetim edhe për shtatë procedura të tjera prokurimi, çka sipas prokurorisë e rëndon ndjeshëm situatën e saj ligjore.

Sipas kërkesës së SPAK, Balluku dyshohet për të njëjtën vepër penale në procedurat e mëposhtme:

  • Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja–Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT
  • Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri, Loti 2
  • Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri–Shkozë, përfshirë urat mbi lumin Tirana
  • Ndërtimi i Unazës së Jashtme të Tiranës, Lotet 4, 5, 6 dhe 7

Në dokumentin zyrtar, SPAK kërkon edhe arrestimin e zëvendëskryeministres, duke argumentuar se bëhet fjalë për një skemë të përsëritur shkeljesh në procedurat e prokurimit publik.

Ndërkohë, mazhoranca duket se po e lidh çdo hap parlamentar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke e shtyrë mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe duke e zhvendosur betejën institucionale në Kushtetuese.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related