Policia italiane ka goditur një tjetër rrjet të trafikut të drogës që dyshohet se drejtohej nga shtetas shqiptarë. Gjatë një operacioni të shtrirë në Milano dhe Bergamo janë sekuestruar rreth 70 kilogramë hashash të cilësisë së lartë dhe 75 mijë euro para cash, ndërsa në pranga kanë rënë dy persona, një shqiptar dhe një rumun.
Sipas autoriteteve italiane, aktiviteti kriminal zhvillohej kryesisht në banesa dhe në një garazh të përshtatur si laborator për përpunimin dhe paketimin e lëndës narkotike. Operacioni është pjesë e një hetimi më të gjerë që ka nisur prej datës 26 janar, pas disa goditjeve të njëpasnjëshme ndaj trafikut të kanabisit.
Një kontroll rutinë i policisë në zonën Fulvio Testi të Milanos u shndërrua në një sekuestrim të rëndësishëm. Efektivët e komisariatit Greco Turro ndaluan dy të rinj, 21 dhe 26 vjeç, të dy me precedentë penalë, të cilët po udhëtonin me një automjet me gomë të shpuar. Sjellja e dyshimtë dhe deklaratat kontradiktore çuan policinë drejt një kontrolli të thelluar.
Gjatë kontrollit personal, 26-vjeçarit iu gjetën 5,800 euro cash dhe çelësa që çonin në një garazh aty pranë. Kontrolli i ambientit zbuloi 20 blloqe hashashi me peshë totale 1.7 kilogramë, si dhe 75,645 euro të ndara në pako.
Ndërkohë, të dielën u finalizua një tjetër goditje në Bergamo, ku u arrestuan dy persona të tjerë dhe u sekuestruan 70 kilogramë hashash dhe 75 mijë euro para në flagrancë.
Autoritetet dyshojnë se rrjeti kriminal është edhe më i gjerë dhe hetimet vijojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë. Operacioni po koordinohet nga Njësia Antidrogë e Milanos dhe Bergamos.
