SPAK i konfirmon KQZ-së dënimin e Kreshnik Hajdarit, kryebashkiaku i Kuçovës rrezikon shkarkimin pas vendimit të formës së prerë

Data

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka konfirmuar zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dënimin e kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari.

Përmes një shkrese zyrtare me firmën e drejtuesit të SPAK-ut, Klodjan Braho, institucioni i ka bërë me dije Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, se vendimi penal ndaj Hajdarit ka marrë formë të prerë dhe është nxjerrë edhe urdhri për ekzekutimin e dënimit.

Sipas dokumentit, procedimi penal ndaj Hajdarit është regjistruar më 3 maj 2023 për veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”.

Pas përfundimit të hetimeve, çështja është dërguar për gjykim më 18 dhjetor 2023.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë e shpalli fajtor Kreshnik Hajdarin me vendimin nr. 06 të datës 25 janar 2024, duke e dënuar fillimisht me 9 muaj burg.

Më pas, për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 6 muaj burgim.

SPAK sqaron se urdhri për ekzekutimin e vendimit është nxjerrë më 1 shkurt 2024, ndërsa vendimi ka marrë formë të prerë më 5 korrik 2024.

Çështja lidhet edhe me mosdeklarimin nga ana e Hajdarit të një vendimi të vitit 1999 nga Gjykata e Janinës në Greqi, ku ai ishte dënuar për hyrje të paligjshme në territorin grek.

Në atë kohë Hajdari ishte 17 vjeç dhe ndaj tij ishte vendosur masë riedukimi si i mitur.

Pikërisht mosdeklarimi i këtij vendimi u bë objekt hetimi nga SPAK dhe tashmë pritet që KQZ të shqyrtojë pasojat ligjore mbi mandatin e kryebashkiakut të Kuçovës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related