SPAK i komunikon Erion Veliajt 4 akuzat në paraburgimin e Durrësit, të pandehur edhe Ajola Xoxa, deputetja Bushka…

Data

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj zgjodhi të mos ishte vetë i pranishëm në SPAK ditën e djeshme për t’u njohur me akuzat zyrtare të prokurorisë. Agjentë të BKH i shkuan në paraburgimin e Durrësit për t’i komunikuar statusin e të pandehurit për korrupsion pasiv, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futje e sendeve të paligjshme në burg. Pikërisht për episodin e fundit, i pandehur është marrë edhe Fatjon Baci, polici i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, i cili akuzohet se i dha telefonin kryebashkiakut për të komunikuar me bashkëshorten gjatë kohës që transportohej nga Paraburgimi i Durrësit drejt Apelit të Posaçëm për masën e sigurisë më 11 mars. Më herët në mëngjes, akuzat e korrupsionit pasiv, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë iu komunikuan edhe bashkëshortes së Veliajt Ajola Xoxa, e cila u paraqit e shoqëruar nga avokati në SPAK.

Akuzat

Mes personave që janë marrë të pandehur për dosjen Veliaj, SPAK i ka komunikuar akuzën edhe deputetes Klotilda Bushka. Ajo akuzohet për veprën penale te kryerjes se veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Sipas SPAK, Bushka dyshohet se ka kryer veprimeve aktive per intimidimin e dëshmitarëve. Deputetja kishte tentuar të manipulonte dëshminë e Ina Goxhajt, e cila ishte vënë fiktivisht në krye të kompanisë “BYL-A”. Nën akuzë zyrtare është edhe një emër i ri, biznesmeni Mirton Lika. Ky i fundit është i pandehur për “Fshehje të të ardhurave”. Në bazë të hetimeve rezulton se Lika i ka dhënë një zyrë Ajola Xoxës me kontratë hua përdorje, por Prokuroria e Posaçme dyshon se është veprimtari paligjshme. Bëhet fjalë për një zyrë në godinën “Sky Tower” në zonën e Bllokut, ku u ushtruan kontrolle përpara disa muajsh nga agjentët e BKH. Ajola Xoxa në këtë godinë zotëronte disa zyra për disa aktivitete të saj nga galeria private “Harabel” te zyra juridike “Partners Low”. Kujtojmë se dy ditë më parë, edhe biznesmeni Elman Abule u mor zyrtarisht i pandehur për pastrim parash. Nga 5 biznesmenët nën hetim që prej fillimit, disa prej të cilëve të njohur në fushën e ndërtimit në Tiranë, deri tani vetëm Gentian Sulës i është komunikuar akuza e korrupsionit aktiv. Në ditët në vijim pritet të merren të pandehur për të njëjtën akuzë Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha. Sipas Prokurorisë së Posaçme, ata i kanë dhënë ryshfet Veliaj për të marrë fonde publike dhe leje ndërtimi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related