SPAK godet koncesionin e Aeroportit të Vlorës, 7 zyrtarë nën akuzë për favorizim të kompanive të lidhura me Pacollin

Data

Një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në Shqipëri, ndërtimi i Aeroportit të Vlorës, është vënë në qendër të një hetimi penal që ka marrë tashmë kthesë konkrete. SPAK ka ngritur akuzat e para ndaj shtatë zyrtarëve të përfshirë në procedurën e dhënies së koncesionit, duke i akuzuar për shkelje të barazisë në tendera dhe favorizim të palëve të caktuara.

Hetimi, i cili ka nisur që në vitin 2021 dhe ka zgjatur rreth pesë vite, ka zbuluar një sërë shkeljesh serioze në mënyrën se si është zhvilluar gara për përzgjedhjen e kompanisë fituese. Në fokus të prokurorisë është roli i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, i cili sipas dosjes hetimore, ka vepruar në kundërshtim me ligjin duke kualifikuar operatorë që nuk plotësonin kriteret.

Të pandehur janë shtatë anëtarë të këtij komisioni, mes tyre Klejda Ngjela, Teuta Balili, Ervin Duraj, Lilika Radovicka, Edlira Kraja, Aurora Pengu dhe Gazmir Vehbiu. Ata dyshohet se kanë bashkëpunuar për të favorizuar bashkimin e kompanive “Mabco Construction”, “YDA Group” dhe “2A Group”.

Sipas SPAK, këto kompani kishin mangësi të theksuara në dokumentacion. Konkretisht, mungonin bilancet financiare për vite të caktuara, nuk ishte dorëzuar dokumentacioni për përfituesit fundorë dhe nuk plotësoheshin kriteret teknike për eksperiencë në ndërtimin e infrastrukturës aeroportuale.

Një nga kërkesat kyçe të tenderit ishte që operatorët të kishin realizuar projekte të mëparshme si ndërtimi i pistave, terminaleve dhe kullave të kontrollit ajror. Megjithatë, sipas hetimeve, këto kushte nuk janë përmbushur nga kompanitë e shpallura fituese, por pavarësisht kësaj ato janë kualifikuar dhe kanë fituar kontratën.

Dosja hetimore thekson se ka indicie të forta për paracaktim të garës dhe deformim të konkurrencës, duke dëmtuar operatorët e tjerë ekonomikë pjesëmarrës.

Çështja lidhet edhe me biznesmenin Behgjet Pacolli dhe partnerët e tij, ndërkohë që përplasjet mes aksionerëve të përfshirë kanë shtuar tensionin rreth këtij projekti.

Ky zhvillim konsiderohet si një goditje e fortë për strukturat që kanë menaxhuar projektet e mëdha infrastrukturore, ndërsa hetimet pritet të zgjerohen edhe më tej për të përcaktuar përgjegjësitë në nivele më të larta.

SPAK thekson se procesi është në vijim dhe nuk përjashtohet që lista e të hetuarve të zgjerohet në ditët apo muajt në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related