Belinda Balluku, zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, është në qendër të një hetimi të thelluar penal nga SPAK. E konsideruar si figura më e fuqishme pas kryeministrit Edi Rama në ekzekutiv, Balluku po përgatitet të përballet me akuzat zyrtare që pritet t’i komunikohen nga Prokuroria e Posaçme, e cila tashmë ka nisur procedurat konkrete për çështje të rënda që lidhen me korrupsion, shpërdorim të detyrës, abuzim me fondet publike dhe pastrim parash. Deri më tani, është raportuar nga mediat vetëm një paraqitje e saj në SPAK më 15 maj 2024, ku u mor në pyetje si person me dijeni për aferën e inceneratorëve dhe disa tendera në fushën e infrastrukturës. Por burime të sigurta konfirmojnë se kjo nuk ka qenë hera e vetme. Balluku është paraqitur disa herë dhe burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se SPAK i ka kërkuar të paraqesë përfaqësim ligjor, duke nënkuptuar se statusi i saj procedural mund të ketë kaluar në atë të të hetuarës zyrtarisht. Pra Balluku e ka kuptuar që ka ardhur koha të përgjigjet me avokat, pasi tani do përballet me fakte dhe akuza, të cilat kërkojnë përballë argumentin juridik të mbrojtjes.
Lëvizja e Ballukut
Në këtë kuadër, gazeta “Sot” ka mësuar se Balluku ka zgjedhur një nga studiot ligjore më të njohura dhe më të lidhura me strukturat politike në vend: “Rakipi & Partners”. Kjo studio, e administruar nga avokati Ermir Beta dhe themeluar nga Arben Rakipi, është e njëjta që përfaqëson edhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, në përballjet e tij me drejtësinë. Zyra ndodhet në zonën e “Bllokut”, ku janë parë kohët e fundit vizita të shpeshta nga vetë Belinda Balluku. Sipas burimeve të mirëinformuara, ajo është takuar disa herë kokë më kokë me Arben Rakipin dhe më pas ka përzgjedhur studion si përfaqësim ligjor në përballjen e saj me SPAK.
