Gjyqtarja e GJKKO, Irena Gjoka rrëzoi dje kërkesën për revokim të masës së sigurisë për ish kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi të akuzuar për korrupsion lidhur me aferën e privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani që u pasua me ndërtimin e kullave. Në seancë prokurorët kundërshtuan kërkesën e palës mbrojtëse për ndryshimin e masës së sigurisë pasi Berisha dhe Malltezi vijon të thyejë masën e sigurisë. Si çdo qytetar tjetër, Berishës në arrest shtëpie, ka të njëjtat kushte dhe rregulla si të paraburgimit, ku askush s’mund të marrë pjesë në aktivitete jashtë burgut, dhe nuk i lejohet të komunikojë apo takojë me asnjë përveç rrethit të ngushtë familjar që jetojnë në të njëjtën banesë me të. Teksa në shtëpinë e ish-kryeministrit hyjnë dhe dalin disa persona, Berishës i ndalohet me vendim të gjykatës dhe kërkesë të Prokurorisë së Posaçme që të takohet dhe të komunikojë me persona të tjerë që nuk janë pjesë e familjes së ngushtë. “Me masën e sigurimit “arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, në adresën e vetëdeklaruar në akte nga personi nën hetim Sali Berisha duke e urdhëruar atë të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën rruga “Mustafa Matohiti”, duke u siguruar mbrojtja e tij me punonjës policie të shtetit si dhe ndalimin e komunikimit me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të”, thuhet në kërkesën e SPAK, e cila mban firmat e prokurorëve Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.
SPAK fundos Berishën
Por Berisha nuk i është bindur as këtij vendimi. SPAK sollën si provë materialet e marra nga mediat për takimet e Berishës me gazetarin e Rait dhe ish-eurodeputetit gjerman i CDU-së, Elmar Brok duke nënvizuar Berisha vijon të mos respektojë vendimi i masës së sigurimit. Në prill edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, shkeli hapur arrestin e shtëpisë kur shkoi tek banesa e Berishës për tu takuar me një grup gazetarësh të emisionit investigativ Report në Rai Tre për të dhënë një intervistë. Me zë dhe figurë, Sali Berisha e Malltezi u shfaqën në një ambient të përbashkët me grupin e gazetarëve duke shkelur hapur masën e sigurisë që i ndalon atij dhe Malltezit çdo lloj komunikimi me persona të tjerë përveç atyre me të cilët bashkëjetojnë. Madje dhe gazetari italian nuk e fsheh çudinë e vet i vetëdijshëm se kjo është shkelje vendimi nga ish-kryeministri dhe dhëndri të akuzuar për korrupsion. Gjithashtu prokurorët e SPAK dorëzuan në GJKKO si provë dhe faktin se Berisha ka futur mjete teknike në banesë për të mundësuar fjalime para militantëve me mbështetësit e tij çdo natë nga dritarja e ballkonit të shtëpisë së tij. Prandaj me këto fakte të pakundërshtueshme prokurorët kërkuan të rrëzohet kërkesa për revokim mase. Kërkesa u pranua nga gjyqtarja Gjoka e cila rrëzoi pretendimet e avokatit të ish kryeministrit Genc Gjokutaj.
Reagon avokati i Berishës
Gjokutaj jashtë gjykatës e quajti ‘çështje tërësisht politike’. Në një prononcim për gazetarët akuzoi gjyqtaren se ka vendimin gati për të rrëzuar çdo kërkesë që parashtrojmë” , edhe pse shkeljet që Berisha i bën vendimit të GJKKO-së për masën e sigurisë janë të hapura dhe në sy të të gjithëve. “Sot kemi marrë një kopje të vendimit të kësaj gjykatë për rrëzimin e kërkesës tonë për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Në bazë të ligjit kjo gjyqtare ka bërë një relacion dhe është interesant fakti që në relacionin e saj nuk e konteston ekzistencën e faktit se ajo është dënuar nga Gjykata Administrative me ndalimin në zonën Shengen, por thotë që pretendimet e mbrojtjes nuk hyjnë në shkaqet që sjellin përjashtimin tim. Gjykata thotë se kjo gjykatë nuk është kompetente për të gjykuar mbarimin ose jo të mandatit. Këto janë teknikalitete. Ata nuk duan të hyjnë në thelbin e çështjes, qoftë për përjashtim qoftë për marrjen e provave. Kërkesën për përjashtim ja kemi qepur në pallto do ja qepim edhe në këtë kostumin veror”. Kujtojmë se GJKKO me kërkesë të SPAK fillimisht kishte dhënë masën e sigurisë ‘detyrim me paraqitje’ në SPAK 2 herë në muaj por Berisha e refuzoi të zbatonte masën e parë që gjyqtarja Gjoka i vendosi. Refuzimi për disa herë me radhë për të zbatuar vendimin e gjykatës, çoi SPAK-un drejt Kuvendit ku mori autorizimin për arrestimin e Berishës deputet dhe më 30 dhjetor 2023 u ndryshua masa e sigurisë në ‘arrest shtëpie’. E tani Berisha vijon betejën gjyqësore në Gjykatë duke kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë të cilën SPAK ia kishte dhënë por nuk iu bind.
