Krahas Sali Berishës si i dyshuari kryesor për vrasjet e 21 janarit, pengimin e drejtësisë dhe zhdukjes së pronave të krimit, SPAK pritet të thërrasë edhe Aleksandër Frangajn për t’iu përgjigjur pyetjeve rreth rolit dhe lëvizjeve të tij pas vrasjeve të 21 Janarit, në funksion të manipulimit të krimit. Vetë gazetari Adriatik Doçi ka shkruar shpesh se më 21 Janar 2011, Sandri mohoi plagosjen e gazetarit që punonte pranë televizionit të tij, Fatos Mahmutaj, pasi Berisha kishte thënë ndërkohë se lajmi i për plagosjen e gazetarit ishte mashtrim i Edi Ramës për të përhapur panik.
Por në një artikull të fundit, Prapaskena mëson se mesnatën e 21 Janarit, teksa Berisha deklaronte se protestuesit ishin vrarë nga afër, klienti i tij mediatik dhe zëri kryesor propagadistik me TV Klan, Aleksandër Frangaj ka hyrë në Kryeministri. Hyrja e Frangajt në Kryeministri, i cili merrte miliona euro reklama nga pushteti i Berishës, është regjistruar në orën 01:30 të natës. Frangaj do të pyetet se në çfarë cilësie ka hyrë në Kryeministri, kë ka takuar dhe çfarë ka biseduar. Kujtojmë që ekspertët e Byrosë Federale të Hetimit (FBI-së) kamë konstatuar se në serverin qendror të kamerave të sigurisë të Kryeministrisë ka pas ndërhyrje natën e 21 janarit 2011. Për zhdukjen e pamjeve filmike u mor i pandehur Armando Kasaj, për të cilin prokuroria kërkoi dy vite burg, për veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës, por Kasaj u shpall i pafajshëm nga gjyqtari Gerd Hoxha.
Ndërkaq, në mbulimin e krimit të Berishës ka marrë pjesë edhe Frangaj. Më 21 Janar 2011, Sandri mohoi plagosjen e gazetarit që punonte pranë televizionit të tij, Fatos Mahmutaj, pasi Berisha kishte thënë ndërkohë se lajmi i për plagosjen e gazetarit ishte mashtrim i Edi Ramës për të përhapur panik. “Ju i keni dhënë të gjitha, madje unë dëgjova një telekronist tuajin që tha se më ka marrë plumbi, pastaj doli se nuk e kishte marrë plumbi. Ndjeva keqardhje, por fatmirësisht doli se nuk e kishte marrë plumbi dhe tha se më shtynë”, tha Berisha natën e 21 Janarit 2011, në një kohë kur Mahmutaj ishte në spital.
Detajet
Kur Fatos Mahmutaj refuzoi ofertën-urdhër për të mohuar të vërtetën, ai nuk u lejua që të dëshmonte live në studion e televizionit ku punonte. I plagosur, Fatos Mahmutaj u izolua disa orë në ambientet e televizionit të Sandër Frangajt. Më pas ai u mohua dhe u dëbua nga televizioni si një rrezik që mund të prishte pazaret e Sandrit me pushtetin e Sali Berishës. Gazetari u dërgua nga disa kolegë të tij në spital. Atë natë ka pasur edhe një plan për ta zhdukur, siç është operuar me dëshmitarët Remzi Hoxha, Kosta Trevicka, Eduard Belegu, Qazim Tepshi etj., por gazetari ka shpëtuar falë interesimit të disa ambasadave të huaja për shëndetin e tij.
Çfarë tha Mahmutaj së fundmi?
Në një intervistë të fundit, vetë Mahmutaj ka deklaruar se për shkak të presioneve dhe të çështjes së 21 Janarit ai përfundoi azilant në Belgjikë. Shpesh ai ka përsëritur për mediat se televizioni ku ka punuar e ka censuruar dhe e ka detyruar të mohojë të vërtetën. “Sapo më panë të gjakosur vendosën të më nxirrnin në studio. Teksa po bëheshim gati unë përsërita se ishte Garda e Republikës që më kishte qëlluar. Më kërkuan të thoja se ishte turma që më kishte qëlluar. Unë nuk pranova dhe pas kësaj u anulua dhe dalja tek studio e lajmeve. Kuptova se kisha humbur gjak dhe kisha nevojë të shkoja në spital por më komunikuan një urdhër të pronarit se asnjë mjet nuk do lejohej të dalë nga rrethimi i kompanisë. Kolegia Sonila Meço, gjej rastin ta falënderoj me mirënjohje, më dha çelësat e makinës së bashkëshortit të saj dhe së bashku me një shofer dhe një kolege të sociales mbërrita në spital”, tha ai.
Kush e censuroi?
Mahmutaj, i pyetur se kush e censuroi tha se të gjitha komunikimet e tij kanë qenë me moderatorët në studio si dhe drejtuesit e informacionit në TV. “Pa përjashtim, nga të gjithë, kush më shumë e kush më pak më kërkuan të pranoja se isha qëlluar nga turma. Edhe atë që nuk më thanë mendimin e tyre, thjesht aprovuan kërkesat e të tjerëve ndaj meje. Të gjithë më flisnin në emër të pronarit. Fillimisht në spital më trajtuan mirë. Kjo falë edhe koleges që foli me stafin mjekësor. Madje aq mirë më trajtuan fillmisht saqë vunë në dispozicionin tim një infermiere që të më lëvizte me karrocë nëpër pavione të ndryshme edhe pse unë lëvizja vetë pa problem dhe se kishte të tjerë më nevojtarë se unë. Ato momente pati fluks të madh të ardhurish pasi ishin qytetarët që policia rrihte nëpër rrugë.
Pak më vonë erdhën në spital prokurorët që i njihja personalisht, dhe më thanë se u ishte dashur rreth dy orë të më gjenin pasi stafi mjekësor i gënjente për vendndodhjen time dhe ishte rastësi takimi im me ta në kohën që kishin humbur shpresat. Iu shpjegova ngjarjen dhe iu bëra edhe një skicë. Pas kësaj nuk u kujdes më kush për mua. Në mëngjes kur dola nuk donin të më jepnin as fletëdalje. Me urdhër të prokurorisë shkova tek Mjekësia Ligjore për ekspertizë. Isha me një mikun tim që punon në një institucion shumë të rëndësishëm. E prezantova si kushëri timin. Kreu i mjekësisë ligjore, më priti në zyrën e tij dhe më tha se nuk do më bënin ekspertizë pasi isha goditur nga turma. I nxehur, mora në telefon prokurorin dhe i tregova. Ky më tha mbylle telefonin dhe eja në zyrën time dhe bëji kallëzim penal.
Mjeku u tremb dhe urdhëroi një vartës të vet të më bënte ekspertizën. Shkova në zyrën e tij. Më tha se nuk i punonte aparati fotografik. Nuk kishte as vizore për të matur plagët. Gjeti një vizore të shkatërruar tek një koleg tjetër, ndërsa fotot i bëra unë me aparatin tim dhe ia shkarkova në kompjuter. Pas kësaj ika dhe nuk e di nëse në dosje ka pasur apo jo një ekspertizë timen. Unë nuk e kam marrë kurrë atë. Kur mbërrita këtu në Belgjikë dhe ndodhesha tek komisariati i refugjatëve e kisha të pamundur të jepja shenjat e gishtave për shkak të enjtjes. Shpjegova (ashtu siç më kishin thënë mjekët në Tiranë) se plumbi ka hyrë dhe dalë pa pasoja. U tregova grafinë që kisha marrë më vete. Më panë të çuditur dhe më dërguan në një spital. Aty mjeku duke parë këmbënguljen time naive, i bëri grafi panoramike dorës dhe më tha ta shihnim bashkë. Nuk kishte asnjë pozicion që të mos tregonte se ishin tre kocka të thyera. ‘Nuk e kupton që kjo nuk është e dorës tënde!’, më tha!”, u shpreh Mahmutaj disa kohë më parë.
Reagon Artan Hoxha
Edhe gazetari Artan Hoxha tha se ka njerëz të medias të përfshirë te dosja e “21 Janarit”. Në një intervistë televizive, ai tha së fundmi se në kuadër të këtij hetimi të ri do të pyeten të gjithë personat e përfshirë, nga Sali Berisha dhe i gjithë zinxhiri i shtetit, ku nuk përjashtohen as njerëz të medias. “Pse duhej të pritej vendimi i Strasburgut dhe pastaj GJL që te detyrohej SPAK të merrte këtë çështje nën hetim? Kemi humbur 2 vjet. Prokuroria e Tiranës nuk bëri dot asgjë. Ne do të kemi mundësi që zinxhiri komandues i shtetit, të bëjë një paradë atje dhe të dëshmojnë. Bamir Topi ka shkruar libër, Ina Rama ka dhënë intervistë. Basha ka dhënë deklarime. Llalla është në kërkim.
Të gjithë këto, Berisha ka mbajtur qëndrim publik. SPAK është detyruar të regjistrojë çështjen. Është bërë nga familjarët, për shkak të regjistrimit që doli. Tregon se vrasjet janë bërë me urdhër, jo nga pakujdesia. Zjarri është hapur me urdhër dhe pastaj është dhënë urdhri ndaloni. Perdja e zjarrit është 7 sekonda sepse ndryshe do të bëhej hataja. Këtë javë SPAK do të thërrasë ata që ne dimë që kanë qenë përgjegjës për 21 janarin. Më në fund kjo çështje u regjistrua në SPAK. Për mua nëse duhej filluar hetimi ndaj ish-kryeministrit Berisha duhej filluar nga 21 janari. Ky është një hap i vogël, por i rëndësishëm. Ka elementë të rinj që e ndryshojnë komplet… Ka filmime kush ka hyrë në kryeministri në orën 1:30 të natës. Ka njerëz të medias si në rastin e inceneratorëve”, deklaroi Hoxha.
