Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka mbyllur hetimet si dhe ka dërguar për gjykim Jusel Micin dhe Mendim Domin, të akuzuar se përmes Call Center kanë mashtruar evropianët duke u zhvatur shuma të mëdha parash. Më paratë e përftuara nga mashtrimet, Mici dhe Domi kanë blerë pasuri, kryesisht truall dhe apartamente, të cila nuk i justifikonin. Sipas SPAK, dëmi i shkaktuar nga mashtrimi arrin në 3 mln euro, por ka dhe shumë raste të pa kallëzuara.
Ndaj Jusel Micit janë ngritur akuzat për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në dëm të disa personave, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal”, “Fshehjes së të ardhurave” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim të thjeshtë me Mendim Domin.
Ndërsa për Mendim Domin janë akuzuat për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në dëm të disa personave, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”, “Fshehjes së të ardhurave” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim të thjeshtë me shtetasin Jusel Mici. Sipas SPAK, dy të pandehurit Jusel Mici dhe Mendim Domi janë respektivisht organizatorë dhe pjesëtarë të grupit të strukturuar kriminal të krijuar për të kryer veprat penale të mashtrimit kompjuterik dhe pastrimit të parave.
Mashtrimi me shoqëri fiktive
Mashtrimi “online” lidhej me investime shumash në letra me vlerë dhe kriptovaluta, përdorimin e shoqërive fiktive (Capitalcom Investment, Direct Coin Limited, Lead Secure Ltd, Finex Group Ltd, Futurus X OU, Luxor, Mm Consulting S.R.S.S. Shoqëri Scs Smart Coomunications Services S.R.L.S Estra dhe të tjera) për kalimin e vlerave monetare të mashtrimit. Këto shoqëri që përdoreshin për aktivitetin kriminal, duke hapur llogari rrjedhëse të huaja (Lituani, Britani e Madhe, Belgjikë, Luksemburg, Gjermani dhe Itali), duke menaxhuar faqe interneti që reklamonin aktivitetin, si dhe përdornin qendra thirrje (call center), në Itali dhe Shqipëri, nëpërmjet të cilave kontaktonin viktima (klientë) të shumta, duke i bindur të bëheshin pjesë e programeve të rreme të investimit.
Autorët i propozonin viktimave, të derdhnin shuma të konsiderueshme parash nëpërmjet transferimeve on line në llogaritë rrjedhëse të huaja, të kompanive të mësipërme. Me marrjen e menjëhershme të këtyre shumave, nga grupi i strukturuar, këto para zhdukeshin duke u konvertuar kryesisht në kriptovaluta. “Dëmi ekonomik i shkaktuar arrin në vlerën 3 000 000 Euro (ka dyshime që kjo vlerë të jetë shumë më e madhe, duke konsideruar të dëmtuarit, që nuk kanë kallzuar mashtrimet ndaj tyre)”, njofton SPAK.
