Izraeli intensifikon bombardimet në Liban, Netanyahu premton “goditje shkatërruese” ndaj Hezbollahut ndërsa grupi militant kundërpërgjigjet me raketa dhe dronë

Data

Ushtria izraelite ka nisur një valë të re bombardimesh në Liban, pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli do të intensifikojë ofensivën kundër Hezbollahut.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) njoftuan se sulmet janë përqendruar në Luginën e Bekasë dhe në zona të tjera të Libanit, duke goditur objektiva që i cilësojnë si infrastruktura dhe pozicione të Hezbollahut.

Nga ana tjetër, Hezbollahu, grupi militant i mbështetur nga Irani, deklaroi se ka reaguar me 22 sulme me raketa dhe dronë kundër objektivave izraelite. Sipas grupit, në shënjestër kanë qenë ushtarë izraelitë, tanke, kazerma dhe ndërtesa ushtarake.

Mediat lokale libaneze raportojnë se të paktën 12 persona kanë humbur jetën në zonën e Mashgharasë, në Luginën Bekaa, si pasojë e bombardimeve izraelite.

Ndërkohë, ushtria izraelite ka lëshuar urdhër evakuimi për banorët e qytetit jugor Nabatieh, duke paralajmëruar sulme të tjera të mundshme në zonë.

Në një videomesazh të publikuar më herët, Netanyahu deklaroi se Izraeli është në luftë me Hezbollahun dhe se ushtria ka marrë urdhër për t’i dhënë grupit një “goditje shkatërruese”.

Sipas kryeministrit izraelit, ofensiva ushtarake e javëve të fundit ka çuar në eliminimin e mbi 600 militantëve të Hezbollahut.

Përshkallëzimi i ri i konfliktit vjen edhe pse Libani dhe Izraeli kishin rënë dakord më herët për zgjatjen e armëpushimit 45-ditor të nisur në mes të muajit prill.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related