Ish-deputeti Ervin Salianji ka komentuar sërish takimet e tij me demokratët dhe diskutimet nëse ai po synon postin e kryetarit të Partisë Demokratike. I ftuar në Euronews Albania, Salianji theksoi se ambicia nuk është përçarje, por një element që e çon përpara një forcë politike.
“Unë jam duke dëgjuar demokratët. Ku është këtu përçarja? Vijmë te elementi tjetër: nëse dikush do kishte ambicie për të kandiduar, ambicia çon përpara, ça problemi ka? Vetëm e shëndosh një parti, sepse e fut në konkurrencë,” u shpreh ai.
Salianji sqaroi se takimet e tij nuk kanë qëllim shpalljen e një kandidature dhe se deri tani nuk ka prezantuar asnjë platformë për marrjen e drejtimit të partisë. Sipas tij, thelbi mbetet respektimi i statutit dhe përfaqësimi real i anëtarësisë në vendimmarrje.
“Unë po kërkoj që PD të jetë parti fituese, duke vendosur disa parime. Ku po kërkoj unë ndonjë gjë? Kam shpallur unë ndonjë platformë se si do të jetë apo si e bëj unë? Unë jam duke dëgjuar demokratët,” tha ai, duke shtuar se gara brenda partisë është e shëndetshme dhe e domosdoshme.
Në mbyllje, Salianji nënvizoi se marrëdhënia e tij kryesore është me demokratët dhe se çdo qëndrim publik i tij synon forcimin e PD-së dhe rikthimin e saj si një parti fituese.
