SPAK dërgon për gjykim tre ish-efektivë policie, akuzohen për lidhje me grupe kriminale të trafikut të drogës në Sarandë dhe Gjirokastër

Data

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre ish-punonjës të Policisë së Shtetit, të akuzuar për përfshirje në veprimtari kriminale dhe shpërdorim detyre në favor të grupeve të organizuara të trafikut të drogës.

Të pandehurit janë Erdit Hazizaj, Shkëlzen Ruska dhe Ervis Alisinaj.

Sipas SPAK, Hazizaj akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, pjesëmarrje në grup kriminal, kryerje veprash penale në kuadër të grupit kriminal dhe shpërdorim detyre. Ndërkohë, Ruska akuzohet për kultivim të bimëve narkotike në grup të strukturuar kriminal, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe shpërdorim detyre. Alisinaj përballet me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Hetimet kanë zbuluar se gjatë viteve 2019-2021 në zonën e Sarandës ka vepruar një grup kriminal i përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike drejt Greqisë. Sipas dosjes, grupi drejtohej nga persona të identifikuar me inicialet K.Q. dhe E.A., ndërsa anëtarët kishin role të ndara në transportin dhe trafikimin e drogës.

Një nga episodet kryesore të dokumentuara nga hetuesit lidhet me datën 7 mars 2020, kur në pikën kufitare të Qafë Botës u sekuestruan 1,144.9 kilogramë cannabis sativa, mbi 4 kilogramë cannabis i përpunuar në formë çokollate dhe afro 1 kilogram vaj cannabis, me vlerë të përgjithshme rreth 1.7 milionë euro. Lënda narkotike u gjet në posedim të dy shtetasve italianë, të cilët më pas u dënuan në Greqi.

Sipas SPAK, Hazizaj, në atë kohë specialist në Sektorin e Hetimit në Mbulim pranë Forcës së Posaçme Operacionale, u siguronte drejtuesve të grupit informacione konfidenciale dhe këshilla për të shmangur goditjen nga strukturat ligjzbatuese.

Një tjetër grup kriminal, që vepronte në zonën Tepelenë-Gjirokastër, dyshohet se kultivonte bimë narkotike nën drejtimin e një personi me inicialet L.B. Në tetor të vitit 2020, policia zbuloi dhe sekuestroi 1,360 bimë narkotike me peshë totale rreth 1.28 tonë në zonën mes fshatrave Dukaj dhe Salari.

SPAK pretendon se Shkëlzen Ruska, asokohe specialist në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, i siguronte grupit kriminal informacione dhe garanci për vijimin e aktivitetit të paligjshëm.

Sipas organit të akuzës, tre ish-efektivët kanë kryer veprime dhe mosveprime në kundërshtim me detyrën, duke mos parandaluar dhe goditur aktivitetet kriminale, çka ka sjellë pasoja të rënda për interesat e shtetit dhe ka dëmtuar besimin e publikut te Policia e Shtetit.

SPAK thekson se procedimi penal është tashmë në fazën gjyqësore dhe se të pandehurit gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related