Drejtori i Policisë së Shtetit paralajmëron masa të forta kundër zjarrvënësve: Kush shkakton zjarr do të përballet me drejtësinë

Data

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka paralajmëruar masa të rrepta ndaj çdo personi që shkakton zjarre gjatë sezonit veror, qoftë me dashje apo nga pakujdesia.

Gjatë prezantimit të planit të masave për përballimin e emergjencave verore dhe koordinimin ndërinstitucional për menaxhimin e zjarreve, Hita theksoi se Policia e Shtetit ka nisur prej kohësh punën parandaluese për të minimizuar rrezikun e vatrave të zjarrit.

Sipas tij, strukturat policore kanë filluar kontaktet me administratorët e njësive administrative dhe në ditët në vijim do të njoftohen zyrtarisht edhe blegtorët dhe përdoruesit e kullotave, të cilët do të mbajnë përgjegjësi për territoret që administrojnë në rast të shpërthimit të zjarreve.

“Sezoni veror sjell rrezik të shtuar për zjarret dhe për këtë arsye kemi marrë masa parandaluese. Çdo person që me dashje ose nga pakujdesia shkakton zjarr, duke rrezikuar jetën, pronën apo mjedisin, do të përballet me drejtësinë”, deklaroi Hita.

Kreu i Policisë së Shtetit nënvizoi se bashkëpunimi mes Policisë, shërbimeve zjarrfikëse, Emergjencave Civile dhe pushtetit vendor është vendimtar për reagimin e shpejtë dhe kufizimin e pasojave.

Ai theksoi se çdo minutë e fituar në ndërhyrje mund të shmangë dëme të mëdha materiale, rrezikimin e jetës së qytetarëve dhe dëmtimin e mjedisit.

Në përfundim, Hita shprehu mirënjohje për efektivët zjarrfikës dhe punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët gjatë sezonit të verës përballen me situata të vështira dhe rrezik të lartë në terren.

“Ky është misioni ynë fisnik: t’u shërbejmë qytetarëve në çdo situatë, edhe kur kjo kërkon të rrezikojmë jetën tonë”, u shpreh ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related