Agron Shehaj akuza në Kuvend: “S’të lë Belinda Balluku”, përplaset me Niko Peleshi për interpelancën e Thumanë-Kasharit

Data

 Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka akuzuar drejtuesit e Kuvendit se po pengojnë zhvillimin e interpelancës së kërkuar prej tij për projektin Thumanë-Kashar.

Gjatë debatit në seancën plenare, Shehaj tha se interpelanca ishte hequr nga programi i punës pa asnjë njoftim paraprak, ndërsa kërkoi transparencë për mënyrën e trajtimit të çështjes.

“1.3 miliardë euro për Thumanë-Kashar. Mund të më thoni përse më mohoni të drejtën e kësaj interpelance? Përse e keni hequr nga programi i punës pa më njoftuar?”, deklaroi ai.

Shehaj hodhi akuza edhe ndaj ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, duke aluduar për ndikim të saj në vendimmarrjen parlamentare.

“Nëse nuk marr përgjigje, kam të drejtë të besoj se nuk ju lë Belinda Balluku. Sot keni caktuar interpelancë me ministrin e Infrastrukturës dhe ai nuk është. Nuk ju lë Belinda Balluku, ajo e komandon këtë Parlament?”, u shpreh kreu i “Mundësisë”.

Nga ana tjetër, kryetari i seancës, Niko Peleshi, reagoi duke i kërkuar Shehajt të respektojë rregulloren dhe etikën parlamentare.

“Ka disa vija të kuqe. Kush jeni ju që shpallni kriminelin? Mund të diskutojmë procedurat, por nuk mund të dilni jashtë rregullores dhe etikës së kësaj salle”, tha Peleshi.

Debati shkaktoi tensione në sallën e Kuvendit, ndërsa opozita vijoi akuzat për mungesë transparence dhe pengim të interpelancave parlamentare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related