Ishte data 28 mars, kur ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj vendosi precedent në SPAK, duke u mbyllur për 7 orë për të lexuar dosjen në ngarkim të tij, duke refuzuar kështu që të paguante tarifën prej 120 mijë lekësh për ta marrë me vete. Kur doli, ai tha se kishte mundur që të shihte vetëm 15 fashikuj, nga 700 të tillë. Dje, Beqaj është rikthyer sërish në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, për të vijuar aty ku e la. Këtë veprim, më herët avokati i tij e justifikoi duke thënë se tarifa e vendosur nga SPAK-u është shumë e lartë. SPAK e vendos tarifën në bazë të volumit të materialeve që duhen skanuar dhe printuar. Bëhet fjalë kryesisht për skanimin e 190 mijë faqeve për 9 të pandehurit për dosjen e koncesionit të sterilizimit. Por ish-ministri nuk e pa të arsyeshme të paguajë pjesën që i takon për prokurorinë, që e akuzon shpërdorim detyre në bashkëpunim. Beqaj është marrë i pandehur me vartësin e tij Klodian Rrjepaj, biznesmenin Ilir Rrapaj që fitoi koncesionin e sterilizimit dhe 6 persona të tjerë. Ndërkohë, sot është parashikuar të zhvillohet edhe seanca paraprake, ku do të vendoset nëse dosja ndaj tij do të kalojë ose jo për gjykim.
Detaje nga dosja
Dosja ka futur në panik ish-ministrin, pasi protagonizmi i tij del jo vetëm në paracaktimin e fituesit të këtij koncesioni me vlerë 100 milion euro, por dhe në krijimin e një dëmi financiar në buxhetin e shtetit prej 588 milion lekë të vjetra, dëm i cili është përllogaritur deri në zbatimin e kontratës koncesionare në muajin Prill 2022. Ky dëm është llogaritur nga shpenzimet buxhetore në pagesat e ujit dhe energjisë elektrike, të cilat Ministri Beqja, ja ka hequr si shpenzime kompanisë “Sani Service”, duke ja arkëtuar shtetit. E gjithë praktika koncesionare është piketuar nga “trekëndëshi i Bermudës”, Ilir Beqja ministër, Ilir Rrapaj miku i ministrit dhe Klodian Rjepaj me detyrë zv/ministër Shëndetësie. Ndërsa zyrtarët e tjerë të ministrisë dhe përfaqësuesit e kompanive italiane, dalin në dosje si “argatë” apo shërbëtore të devotshëm të tre emrave të mësipërm, duke firmosur një kakofoni dokumentesh. Në media u zbulua se koncesioni ka qenë i trukuar. Madje dhe kontrata finale për përcaktimin e kushteve kontraktuale, është trukuar. Ka shumë gjasa dhe dyshime të arsyeshme që Draft-Kontrata është përpiluar jashtë zyrave të Ministrisë, në ndonjë takim privat mes treshes së shokëve Ilir Beqja, Klodian Rjapaj dhe Ilir Rrapaj. Dhe një fakt i tillë vërtetohet nga pasiviteti i Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja dhe zyrtarëve të tjerë Juridikë dhe Ekonomikë në Ministri, duke mos hedhur në tryezën e diskutimit asnjë kusht të kontratës së konçesionit 10 vjeçar. Njëherësh kontrata është dorëzuar në 4 dhjetor 2015 jo me postë, por dorazi nga “Sani-Service” në ministrinë e Shëndetësisë, gjë e cila tregon zhdërvjelltësinë dhe sigurinë që ka pasur Ilir Rrapaj me zyrtarët e ministrisë së Shëndetësisë.
Zbërthim i e-maileve
Përmes e-maileve të zbërthyera nga SPAK, del qartë se pavarësisht ngritjes së një grupi pune me disa emra në Ministri për të negociuar kushtet e kontratës, del qartë se atë e ka negociuar vetë zv/ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, i cili më pas draftin ja ka kaluar anëtarëve të komisionit. Ndërsa në 10 Dhjetor 2015 kontrata është firmosur nga ministri Shëndetësisë, Ilir Beqja. Në dosje thuhet se SPAK ka sekuestruar procesverbalin e datës 8 dhjetor 2015, i cili është mbajtur në mënyrë të përmbledhur nga anëtarët e Komisionit të Dhënies së Koncesionit dhe përfaqësuesit ligjorë të operatorit ekonomik të shpallur fitues, për negociatat e Kontratës së Koncesionit, ku rezulton të jetë shtetasi Admir Daca. Në fundin e procesverbalit vërehet se kanë firmosur anëtarët e komisionit të dhënies së Koncesionit dhe përfaqësuesi ligjor i operatorit ekonomik të shpallur fitues Admir Daca. Ky i fundit paraqitej për herë të parë në këtë mbledhje dhe emri i Dacës, nuk ishte përmendur asnjëherë gjatë përpilimit të dokumenteve nga 2014 e në vijim. Kjo pasi sipas certifikatës së regjistrimit shoqëria “SaniService” ka filluar veprimtarinë në 3 korrik 2015 dhe “Administrimi” i saj i përkiste vlonjatit Bledar Rrokaj, një i besuar i Ilir Rrapaj. Ndërsa Admir Daca është emëruar Administrator i “SaniService” në 1 dhjetor 2015 dhe në datat kur thuhet se është kryer negocimi ky person nuk ka qenë administrator i kësaj kompanie. Gjithashtu, nuk disponohet ndonjë akt-autorizimi për pjesëmarrjen në negociata të Admir Daca përpara se të emërohet administrator i “SaniService”. Prokuroria thotë se në lidhje me këtë negocim të kushteve të Kontratës, vërehet se Autoriteti Kontraktor që është Ministria e Shëndetësisë dhe titullari i saj, Ilir Beqja që ka firmosur, nuk ka paraqitur asnjë pikë për negocim në këtë kontratë. E gjithë kontrata është hartuar nga “Sani-Service” dhe zyrtarët e komisionit dhe vetë Ilir Beqja kanë firmosur qorrazi, duke i bërë dhuratë 100 milion euro Ilir Rrapaj dhe dhuruar ujin, energjinë elektrike, ambientet dhe Qendrën Kombëtare të Sterilizimit në QSUT. Ndërkohë ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj pritet të thirret sërish në Prokurorinë e Posaçme SPAK lidhur me udhëtimet që ka zhvilluar me biznesmenin e koncesionit të sterilizimit Ilir Rrapajn dhe Administratorin e “Sani Service” në Itali dhe Vjenë. Mësohet se në pyetje do merren dhe 4 ish-zyrtarët e Komisionit të Prokurimeve Publike: Gentian Këri, me detyrë ish-kryetar i Komisionit të Prokurimeve Publike; Spiro Kuro, me detyrë zv/kryetar i këtij komisioni; dhe dy anëtarët Leonard Gremshi dhe Hektor Balluku. Të 4 këta persona, dy ish-ministrat, zyrtarë të tjerë në ministrinë e Shëndetësisë dhe kompaninë konçesionare “Sani Service”, u hetuan nga SPAK, pas një vendimi detyrues nga gjykata për të thelluar veprimet hetimore.
Dëshmitë
Nga tjetër, u theksua se në kundër të hetimeve për aferën e koncesionit të sterilizimit, Vladimir Isufi, i cili ka qenë shoferi i ish-zv/ministrit të Shëndetësisë Klodian Rjepaj, është thirrur në SPAK, duke dëshmuar se ka qenë në vitin 2014 në Kosovë, në një udhëtim me dy italianë dhe një shqiptar. Isufi i ka treguar oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, se këtë udhëtim ai e ka kryer me urdhër dhe dijeni të zv/ministrit Rjepaj. “…nuk mund të lëvizte makina me targë TR 4112 R pa dijeninë e Klodian Rjepaj…”, ka treguar shoferi i këtij të fundit. Dëshmia e shoferit Vladimir Isufi është marrë nga SPAK pasi hetuesit kanë vërtetuar se në 12 dhjetor 2014, në bordin e kësaj makine kanë udhëtuar drejt pikës kufitare të Morinës duke dalë në Kosovë, dy shtetasit italianë, Gianni Bidini, Vanessa Rossi dhe shqiptari Ilir Rrapaj, që një vit më vonë do bëhej pronari kryesor i kompanisë koncesionare të sterilizimit “Sani Service”. Isufi ka treguar se gjatë kësaj periudhe ka qenë shoferi personal i Klodian Rjepaj, kur ky i fundit ka shërbyer si zv/ministër Shëndetësie. “…Dy italianët dhe shqiptarin i kam çuar në Universitetin e Prishtinës. Unë çdo lëvizje me automjet e kam bërë në dijeni dhe pasi të më thoshte zëvendës ministri. Mbaj mend se jemi nisur urgjent dhe se shpenzimet me karburant i kanë kryer udhëtarët, pasi e kanë furnizuar mjetin në Kosovë…”, ka treguar shoferi Vladimir Isufi, citohet në dosjen e SPAK. Më tej Isufi ka pohuar se nuk kishte dijeni se çfarë lidhje kishin dy italianët dhe shqiptari me Ministrinë e Shëndetësisë. Mjeti me të cilën kanë lëvizur dy vizitorët është në pronësi të Ministrisë së Shëndetësisë. Gianni Bidini është një nga autorët e studimit të kryer nga Universiteti i Peruxhias, që më vonë është bërë pjesë e studimit të fizibilitetit të Koncensionit objekt hetimi. Ai bashkë me Ilir Rrapaj kanë qenë pjesë e takimeve të përbashkëta me Ministrin e Shëndetësisë dhe Zëvendës Ministrin e Shëndetësisë në lidhje me takimet me Universitetin e Peruxhias dhe Rajonin e Umbrias. I gjithë terreni është përgatitur prej tyre që në vitin 2014, duke e shitur si një proces të suksesshëm. Por që një vit më pas e gjithë praktika është fituar prej tyre, duke çuar në një dëm kolosal të parave publike dhe futur në kolaps sistemin shëndetësor shqiptar.
