Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, ka reaguar publikisht pas publikimit të një mesazhi të tij në WhatsApp, ku përdorej një gjuhë fyese ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë një konference të përbashkët me Izet Mexhiti, Hoxha nuk e mohoi ekzistencën e mesazhit, por theksoi se bëhet fjalë për një çështje të kaluar, për të cilën sipas tij janë dhënë tashmë të gjitha sqarimet.
Ai e cilësoi reagimin publik si një “tymnajë” të panevojshme, duke nënvizuar se situata i përket javës së kaluar dhe tashmë është tejkaluar.
“Keni mbetur te java e kaluar. Janë të kapërcyera. Nuk ka asnjë tymnajë që mund të ndikojë atë që duam të ndërtojmë së bashku,” u shpreh ministri.
Hoxha shtoi se është i hapur për dialog në çdo kohë dhe në çdo rrethanë, pavarësisht nëse palët bien dakord apo jo, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe shmangien e interpretimeve të mëtejshme mbi këtë çështje.
Deklarata e tij vjen mes reagimeve të shumta politike dhe publike, ku kundërshtarët e kanë kritikuar për gjuhën e përdorur dhe mënyrën e trajtimit të situatës.
