Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë sot një takim me kryebashkiakët e vendit në Golem, i cili pritet të nisë rreth orës 11:30. Në fokus të këtij takimi do të jenë problematikat kryesore me të cilat përballen bashkitë, si dhe sfidat që pritet të adresohen në vijim.
Mbledhja vjen vetëm një ditë pas takimit të Ramës me grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ku ai paralajmëroi hapur mundësinë e ndryshimeve kushtetuese brenda këtij mandati. Ky zhvillim i jep takimit me kryebashkiakët një peshë të veçantë politike dhe institucionale.
Një tjetër temë e rëndësishme e diskutimit pritet të jetë edhe e ashtuquajtura “paketa e maleve”, e lançuar nga Partia Socialiste si një nismë për zhvillimin e zonave malore. Rama ka shprehur më herët pakënaqësi ndaj shumicës së bashkive, duke i kritikuar për mungesë angazhimi dhe për mosidentifikimin e zonave prioritare për zhvillim.
Takimi në Golem shihet si një përpjekje për të rritur koordinimin mes qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor, në një moment kur mazhoranca po përballet me presione politike, institucionale dhe kërkesa për reforma të thella.
