Partia Demokratike do të zhvillojë sot protestën e paralajmëruar përpara Kryeministrisë, në kuadër të kundërshtimit të qeverisë dhe zhvillimeve të fundit politike në vend.
Për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, rreth 1300 efektivë policie do të jenë të angazhuar në terren gjatë gjithë zhvillimit të tubimit.
Sipas njoftimit zyrtar, do të ketë kufizime të lëvizjes në disa akse kryesore të kryeqytetit. Që nga ora 23:45 e mbrëmjes së kaluar është ndaluar parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga zona e njohur si “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”.
Nga ora 15:00 e ditës së sotme dhe deri në përfundim të protestës, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime edhe në akse të tjera rrugore. Qytetarët këshillohen të shmangin zonat e bllokuara dhe të përdorin rrugë alternative për të mos u përballur me vonesa në qarkullim.
