Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Burimi”, në kuadër të të cilit janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 200 mijë euro, të dyshuara si të përfituara nga veprimtari kriminale.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Tiranës, janë vënë nën sekuestro një apartament në zonën e Selitës dhe një garazh në Selitë të Vogël. Pasuritë rezultojnë në pronësi të shtetasve Pajtim Braçaj, 63 vjeç, dhe Gjino (Shkëlqim) Lleshaj, 44 vjeç.
Sipas Policisë, Braçaj është i dënuar në Shqipëri për trafikim të lëndëve narkotike, ndërsa Lleshaj është i dënuar në Itali për të njëjtën vepër penale. Hetimet kanë konstatuar se pasuritë e sekuestruara dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal i tyre.
Operacioni është zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës. Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera me burim kriminal, në pronësi të këtyre shtetasve apo personave të lidhur me ta.
