Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka dhënë detaje lidhur me atentatin ndaj çiftit Mujeci në Lezhë, duke bërë të ditur se kontrollet policore kanë vijuar edhe gjatë mëngjesit të sotëm.
Sipas Hitës, në operacion janë angazhuar edhe Forcat Speciale RENEA, ndërsa deri tani nuk është bërë e mundur identifikimi apo kapja e autorëve.
“Hetimet kanë vijuar edhe sot në mëngjes. Kemi kryer disa kontrolle me forcat speciale RENEA, por ende nuk është bërë e mundur kapja e autorëve”, deklaroi ai.
Gjatë daljes për mediat, Hita prezantoi edhe ndryshimet që Policia e Shtetit do të bëjë në mënyrën e komunikimit publik, duke theksuar se institucioni synon një informim “më të përgjegjshëm dhe më profesional”.
Sipas tij, Policia do të reduktojë publikimin e lajmeve të fragmentuara mbi ngjarjet kriminale, duke argumentuar se mbingarkesa me kronika të tilla krijon ndjenjë pasigurie te qytetarët.
Hita sqaroi se:
- statistikat mujore dhe vjetore mbi kriminalitetin do të publikohen në faqen zyrtare të Policisë;
- drejtuesit vendorë do të zhvillojnë konferenca mujore për mediat;
- për ngjarje me impakt të lartë publik do të ketë komunikim zyrtar dhe të centralizuar.
Ai theksoi se ndryshimi nuk përbën tërheqje nga transparenca, por një mënyrë për të garantuar informacion “më të saktë, të verifikuar dhe në interes të sigurisë publike”.
