Me aplikimet që do të jenë të hapura deri më 30 shtator për përfitimin e granteve për investime në bujqësi, fermerët kanë mundësi të përfitojnë nga një paketë e kombinuar financimi përmes Skemës Kombëtare të Investimeve, e cila ofron 50% grant për investime në bujqësi, të kombinuar me Kredi të Butë dhe Garanci Sovrane. Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka sqaruar se aplikimit për grante që financojnë deri në 50% të investimit, por jo më shumë se 15 milionë lekë për subjekt, mund të kombinohen me paketat e tjera mbështetëse përfshirë kreditë e buta dhe garancinë sovrane. “Skema ofron 50% të vlerës së investimit.
Kjo mbështetje mund të kombinohet me dy instrumente financiare të tjera: Kredi të Butë deri në 25 milionë lekë me interes deri në 2%; Garancinë Sovrane, me mbulim kolaterali deri në 70%”, sqaron AZHBR në rubrikën për pyetjet më të shpeshta për Skemën Kombëtare të investimeve. Skema e re e Garancisë Sovrane është një nismë shtetërore që u mundëson fermerëve dhe bizneseve të sektorit të bujqësisë të marrin kredi me interes 2%, ku 70% e shumës së kredisë do të garantohet nga shteti. Shuma e kredisë e përfituar nga aplikuesit nuk do të kalojë nivelin e 25 mln lekëve. Pra Skema ofron kredi me interes të ulët, të cilat jepen nga bankat tregtare, ndërsa 70% e principalit të huasë garantohet nga shteti përmes Garancisë Sovrane. Në kombinim me instrumente të Bankës së Shqipërisë, interesi do të kufizohet në vetëm 2%, duke e bërë këtë skemë të favorshme për kreditimin e bujqësinë. Për sa i përket granteve, aplikantët mund të kërkojnë parapagim deri në 30% të grantit të miratuar, pas lidhjes së kontratës me AZHBR, nëse sigurojnë garanci nga kompani sigurimi.
