Tiranë – Skandali i rëndë i tenderave në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) po thellohet, duke përfshirë tashmë edhe strukturat e larta të Policisë së Shtetit.
Zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, i pezulluar nga detyra, është paraqitur sot në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për rivlerësimin e masës së sigurisë, pasi SPAK e akuzon si pjesë të grupit të strukturuar kriminal të përfshirë në rrëmbimin e një biznesmeni, në kuadër të skandaleve të tenderave në AKSHI.
Ndaj zyrtarit të lartë të policisë, gjykata ka vendosur më herët masat:
- Pezullim nga detyra
- Ndalim për të dalë jashtë vendit
Dosje me implikime të rënda
Pak ditë më parë, Gjykata e Posaçme caktoi masa sigurie për tetë persona, mes tyre:
- Drejtorja e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj – “arrest shtëpie”
- Zv.drejtoresha Hava Delibashi – “arrest shtëpie”
Sipas SPAK, grupi kriminal dyshohet se ka vepruar në mënyrë të organizuar për të manipuluar procedurat e tenderimit, duke përdorur kërcënime, dhunë dhe rrëmbim, me qëllim eliminimin e konkurrencës dhe favorizimin e kompanive të paracaktuara.
Agasi dhe Beqiraj në arrati
Prokuroria e Posaçme akuzon gjithashtu:
- Ergys Agasin, personazh i njohur për lidhje me krimin e organizuar
- Ermal Beqirajn, biznesmen
të dy për veprat penale:
- konkurrencë e paligjshme përmes dhunës
- heqje e paligjshme e lirisë
- shkelje e barazisë në tendera
- grup i strukturuar kriminal
- pastrim i produkteve të veprës penale
Agasi dhe Beqiraj i kanë shpëtuar operacionit të policisë dhe masat e arrestit me burg ndaj tyre mbeten ende të paekzekutuara.
SPAK: Tenderat u fituan me dhunë dhe presion
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK:
“Në kuadër të veprimtarisë së grupit të strukturuar kriminal, shtetasit e dyshuar kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet, duke i hapur rrugën kompanive të paracaktuara, për të cilat shqyrtimi i ankimimeve mund të sillte ndryshimin e fituesit.”
Hetimet vijojnë dhe pritet që dosja e AKSHI-t të prodhojë zhvillime të reja tronditëse, ndërsa përfshirja e një drejtuesi të lartë të Policisë së Tiranës e ngre çështjen në një nivel kritik për besimin publik dhe sigurinë institucionale.
