Skema Kombëtare e Investimeve, Jaupllari: Nxisim zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë

Data

Në kuadër të prezantimit të Skemës Kombëtare të Investimeve 2025, zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arian Jaupllari zhvilloi një takim informues me fermerë të qarkut Korçë, së bashku me ekipin teknik të Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural. Gjatë këtij bashkëbisedimi, fermerët u njohën nga afër me mundësitë që ofron skema e re e mbështetjes, e cila përfshin në total nëntë masa konkrete për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë. Në fokus të diskutimeve ishin procedurat e aplikimit, dokumentacioni i nevojshëm dhe mënyrat e thjeshtuara për përfitimin nga masat mbështetëse, me synimin për të lehtësuar procesin për fermerët dhe për të rritur aksesin e tyre në financime të posaçme për zhvillimin e fermave dhe rritjen e produktivitetit.

Një nga të rejat kryesore të kësaj skeme është mundësia për të kombinuar grantin prej 50% me Kredinë e Butë që ofrohet me një normë interesi prej vetëm 2% dhe me garanci sovrane që mbulon deri në 70% të kolateralit të kërkuar nga bankat. Kjo qasje e re synon të krijojë kushte të favorshme për fermerët që kërkojnë të realizojnë investime të reja apo të zgjerojnë kapacitetet ekzistuese, duke pasur një mbështetje të fortë financiare dhe një barrë më të lehtë për t’u përballuar. Zëvendësministri Jaupllari nënvizoi rëndësinë e përfshirjes aktive të fermerëve në këtë skemë dhe u bëri thirrje që të shfrytëzojnë afatin e aplikimeve, i cili mbetet i hapur deri më datë 30 shtator, për të siguruar mbështetjen e nevojshme për zhvillimin e aktivitetit të tyre bujqësor dhe për të kontribuar në rritjen e qëndrueshme të sektorit në nivel kombëtar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related