Protestat që nisën si kundërshtim ndaj projektit të debatueshëm në zonën e Zvërnecit po marrin përmasa të reja, duke u shndërruar gradualisht në një lëvizje me kërkesa të drejtpërdrejta politike ndaj qeverisë.
Analisti dhe gazetari Mentor Kikia vlerëson se protesta ka kaluar tashmë kufijtë e një reagimi lokal apo mjedisor, duke u kthyer në një lëvizje që synon ndryshime më të gjera në politikat e qeverisë dhe në kuadrin ligjor që lidhet me territorin dhe zhvillimin.
Sipas tij, megjithëse simbolika e protestës vijon të lidhet me mbrojtjen e lagunës së Nartës dhe ekosistemit të Zvërnecit, përmbajtja e saj është zgjeruar ndjeshëm, duke përfshirë kërkesa për dorëheqjen e qeverisë dhe shfuqizimin e disa ligjeve të rëndësishme.
Kikia theksoi se protestuesit kërkojnë rishikimin e ndryshimeve ligjore për Zonat e Mbrojtura, si dhe anulimin e ligjit të njohur si “Paketa e Maleve”, të cilat sipas kritikëve kanë hapur rrugën për investime dhe ndërtime në territore me status të veçantë mbrojtjeje.
“Protesta nuk është më vetëm për Zvërnecin. Ajo është shndërruar në një lëvizje me një agjendë të qartë politike, pasi tashmë kërkohet dorëheqja e qeverisë dhe ndryshimi i disa ligjeve që prekin drejtpërdrejt territorin, mjedisin dhe zhvillimin ekonomik të vendit”, u shpreh ai.
Sipas analistit, çdo protestë që i drejtohet institucioneve dhe kërkon ndërhyrje në vendimmarrje merr natyrshëm një dimension politik, pavarësisht se mund të ketë lindur fillimisht nga një çështje mjedisore apo lokale.
Ndërkohë, protesta kundër projektit të Zvërnecit vijon të mbledhë qytetarë dhe aktivistë në Tiranë, ndërsa debati mbi zhvillimin e zonave të mbrojtura mbetet në qendër të diskutimit publik dhe politik në vend.
