Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër tetë të pandehurve nën dyshimet për kryerje të veprave penale, “falsifikim i dokumenteve” dhe “shpëlarje të parave”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të bërë publik më 13 dhjetor, aktakuza është ngritur ndaj personave fizikë, me inicialet; E.M, K.A, E.LL, K.LL dhe I.L, si dhe subjekteve juridike: “M…”, “AHK” dhe “QKK”.
Radio Evropa e Lirë i ka kërkuar Prokurorisë dhe Gjykatës Themelore më shumë hollësi për aktakuzën, si dhe qasje në të, por nuk ka marrë përgjigje.
Mediat lokale në Kosovë, përfshirë mediumin e specializuar për fushën e sundimit të ligjit në Kosovë, Betimi për Drejtësi – që ka thënë se ka siguruar aktakuzën, kanë raportuar se aktakuza është ngritur kundër Ekrem Llukës, në cilësinë e pronarit të Qendrës Kardiake të Kosovës, ndaj Korab Llukës, Klodian Allajbeut, si pronar i Spitalit Amerikan në Kosovë, ndaj Igli Larashit, dhe pronares së Medbrad KS, Edlira Malaj.
Ekrem Lluka dhe Klodian Allajbeu janë edhe pronarë të disa mediave në Kosovë.
