Opozita ka njoftuar protestë të enjten para Kuvendit, lidhur me investigimin e televizionit italian “RAI 3”, ku ndër të tjera flitet për përfshirjen e politikës në krim dhe denoncohen aferat e qeverisë. Ditën e djeshme, deputetët biseduan për organizimin e protestës. Qytetarët do të mblidhen të enjten në 10:00 para godinës së Kuvendit, teksa ligjvënësit brenda do të tentojnë të bëjnë debat parlamentar këtë çështje. Ndërkohë, mësohet se ditën e sotme, do të zhvillohet protesta e radhës para Bashkisë së Tiranës, për të kërkuar sërish shkarkimin e kryebashkiakut Erjon Veliaj, të cilin opozita e akuzon si të përfshirë në dosjen “5D”. Për këtë aferë kjo që po hetohen nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) ish-drejtorët Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tusha, të cilët janë marrë të pandehur për shkak të respektimit të afateve për mos parashkrimin veprës penale të mosdeklarimit të pasurisë dhe korrupsion.
Berisha sulmon Veliajn dhe Ramën
Megjithatë investigimi i “RAI 3” ka bërë që opozita të hedhë akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama. Ish-kryeministri Sali Berisha, njoftoi protestën një ditë pas publikimit të pjesës tjetër të investigimit të RAI 3 për “politikanët e përfshirë në krim”. Berisha akuzoi Ramën se ka krijuar një ‘narkoshtet’ që po u merr pasuritë shqiptarëve dhe po i detyron të largohen nga Shqipëria. Berisha tha se ky investigim, tregoi kriminalizimin e Shqipërisë. Ai theksoi se ky shtet i mafias po dëbon shqiptarët nga vatrat e tyre. Nëpërmjet kësaj proteste, Berisha kërkon largimin e Ramës. Madje Berisha theksoi se ky investigim, tregoi kriminalizimin e Shqipërisë. Sipas tij, ky shtet i mafias po dëbon shqiptarët nga vatrat e tyre. “Ju bëj thirrje, të enjten, në orën 11:00 të grumbullohemi para parlamentit të krimit për të kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kreut të narkoshtetit shqiptar Edi Rama, krijimin e një qeverie teknike dhe zgjedhje të parakohshme. Beteja jonë është betejë për jetë a vdekje për të ardhmen tonë. Ju ftojmë të lini çdo gjë, të mblidhemi para Parlamentit. O sot o kurrë, fitore”, deklaroi ai. Po ashtu, Berisha sulmoi edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Erion Veliaj, në dhjetëra e dhjetëra tendera vodhe 100 përqind shumën e prokurimeve me kompaninë tënde 5D. Paratë e vjedhura i shndërrove në hotele luksoze me 5 yje, në Durrës, Himarë, Dhërmi. Në pallate 10-katëshe në Tiranë. I fshehe në kontot bankare. Po paratë e pyllit vertikal me 1 milion pemë, ku i ke?”, nënvizoi Berisha.
Reagon Boçi
Ndërkohë nënkryetari i Partisë Demokratike Luçiano Boçi, ka komentuar lidhjet e Ramës me krimin pas publikimit të emisionit të radhës të “RAI 3”. Gjatë një prononcimi për mediat, zoti Boçi është shprehur se investigimi i RAI3 nxori në pah dhe lidhjet e krimit me politikën por edhe korruptimi i faktorit ndërkombëtar nëpërmjet kompanive të cilat përfitojnë para publike. “Investimi i parave të pista në Shqipëri ka ndodhur si në sektorin e ndërtimit por edhe në blerjen e votës për të manipuluar zgjedhjet. Blerja e votës është bërja e pushtetit dhe ka ndjekur dhe linjën e korruptimit të ndërkombëtarëve qoftë në bonuset e drejtpërdrejta por edhe në benefite për kompanitë e tyre që operojnë në Shqipëri. Kjo u pa dhe nga sekuencat e emisionit të djeshëm ku ka një lidhje shumë të ngushtë midis tendencës për ti korruptuar nëpërmjet benefiteve. Nëse merremi konkretisht me atë që u tha mbrëmë u zgjidh dhe një rebus se përse Olta Xhaçka u mbrojt fuqishëm nga Rama, pasi në emision doli e qartë se burri i Xhaçkës, Artan Agaçi ishte i lidhur me djalin e një zyrtari të lartë në Itali. Filiali i një politikani të lartë italian i hapur në Shqipëri që merrej me prodhimin e kriptomonedhave. Ka një heshtje të çuditshme me atë që ndodh në Shqipëri dhe nga faktori ndërkombëtar ndërkohë që alarmet kanë kohë që kanë rënë ku mediat ndërkombëtare e kanë vënë gishtin në kriminalitetin dhe lidhjen e krimit me politikën”, deklaroi Boçi.
