Viti 2026 e gjen Shqipërinë në një moment delikat të marrëdhënieve mes politikës dhe drejtësisë, në një kohë kur vendi synon avancimin në procesin e integrimit europian, ku sundimi i ligjit mbetet kusht themelor. Pas një viti 2025 të mbushur me hetime dhe goditje ndaj zyrtarëve të lartë, sinjalet tregojnë se përplasja mes pushtetit politik dhe institucioneve të reja të drejtësisë do të vijojë edhe në vitin e ri.
Në fund të vitit 2025, kryeministri Edi Rama u pozicionua hapur në mbrojtje të bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, të cilët po hetohen nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion dhe manipulim tenderash. Rasti më i ndjeshëm mbetet ai i zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit parlamentar, kërkesë që ndodhet ende në sirtarët e Kuvendit që prej mesit të dhjetorit.
Mazhoranca socialiste është kritikuar për shtyrjen e vendimmarrjes mbi këtë çështje, në kundërshtim me praktikën parlamentare, duke fituar kohë përballë akuzave që përfshijnë tendera me vlera shumë të larta financiare dhe presion ndaj dëshmitarëve. Paralelisht, qeveria ndërmori një betejë ligjore në Gjykatën Kushtetuese për të kundërshtuar pezullimin e Ballukut nga detyra, ndërsa pritet një vendim përfundimtar në muajin janar.
Çështja Balluku nuk është e vetmja që rëndon mbi qeverinë. Hetimet ndaj drejtuesve të institucioneve kyçe dhe skandalet që lidhen me tendera publikë, përfshirë ato në sektorin e teknologjisë dhe shërbimeve digjitale, kanë rritur presionin publik dhe politik mbi drejtësinë. Ekspertët paralajmërojnë se viti 2026 do të shënojë një intensifikim të përpjekjeve për të ndikuar apo delegjitimuar institucionet e reja të drejtësisë.
Sipas analistëve të shoqërisë civile, drejtësia do të mbetet tema dominuese edhe në vitin 2026. Nga njëra anë pritet vijimi i hetimeve ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa nga ana tjetër do të rriten presionet politike, mediatike dhe ekonomike ndaj prokurorëve dhe gjykatave të posaçme. Kjo përballje shihet si një provë serioze për pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe për funksionimin e shtetit ligjor.
Një tjetër faktor i rëndësishëm mbetet procesi i integrimit në Bashkimin Europian. Ecuria e negociatave lidhet ngushtë me sjelljen e politikës ndaj drejtësisë dhe me funksionimin real të institucioneve demokratike. Sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit janë shtylla kryesore të këtij procesi dhe çdo përpjekje për të penguar drejtësinë rrezikon të dëmtojë besueshmërinë e Shqipërisë në sytë e partnerëve europianë.
Ekspertët vlerësojnë se procesi i negociatave do të mbetet kryesisht teknik dhe larg vëmendjes së publikut, ndërsa qeveria pritet të fokusohet në përmbushjen formale të detyrimeve. Megjithatë, sfida reale do të jetë përkthimi i këtyre reformave në përmirësim konkret të jetës së qytetarëve dhe në ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm ligjor.
Në planin politik, shqyrtimi i imunitetit të Belinda Ballukut pritet të jetë një nga çështjet më të nxehta të fillimit të vitit. Në afat më të gjatë, debati mbi ndryshimet zgjedhore, reformën territoriale dhe balancat e pushtetit pritet të sjellë tensione të reja politike dhe institucionale.
Sipas analistëve, viti 2026 rrezikon të jetë vazhdimësi e klimës politike të vitit 2025: një parlament i dobët, opozitë pa kapacitete reformuese dhe një mazhorancë pa reflektim të thellë mbi gabimet e së shkuarës. Në këtë kuadër, drejtësia mbetet faktori kyç që do të përcaktojë nëse Shqipëria do të ecë përpara në konsolidimin e shtetit ligjor apo do të humbasë një tjetër mundësi në tranzicionin e saj demokratik.
