Unaza e Poshtme e qytetit të Burrelit është aktualisht jashtë funksionit, duke krijuar vështirësi serioze për banorët që jetojnë përgjatë saj. Rruga ka pësuar katër shembje, dy prej të cilave kanë dëmtuar plotësisht trupin e karrexhatës.
Situata më problematike paraqitet në anën perëndimore të unazës, ku në të paktën dy segmente e gjithë traseja është dëmtuar rëndë, duke e bërë të pamundur qarkullimin e çdo lloj automjeti. Si pasojë, shumë banorë nuk kanë më akses me mjete drejt banesave të tyre, ndërsa shembjet e vazhdueshme kanë vënë në rrezik edhe shtëpitë pranë rrugës.
Rikonstruksioni total i Unazës së Poshtme të Burrelit është financuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar me një fond prej 128 milionë lekësh të reja dhe ka nisur rreth një vit më parë. Projekti është zbatuar nga kompania “ULZA” sh.p.k. Edhe pse punimet përfunduan gjatë vitit të kaluar, rruga nuk u vu në funksion të plotë për shkak të dëmtimeve të shfaqura pas reshjeve të shiut në tetor të vitit 2025.
Aktualisht, objekti mbetet i pakolauduar dhe ende nuk është marrë në dorëzim nga autoritetet përkatëse, çka pritet të kërkojë financime shtesë për riparimin e dëmeve të shkaktuara.
Kjo rrugë ka qenë historikisht problematike, pasi që prej vitit 2010 ka pasur shembje të shpeshta dhe ka qenë thuajse e pakalueshme për mjetet e tonazhit të rëndë. Sipas ekspertëve, për të garantuar qëndrueshmërinë e saj, është e domosdoshme vendosja e pilotëve mbajtës në të gjithë gjatësinë e unazës, rreth një kilometër, për shkak të pranisë së madhe të ujërave nëntokësore që vijnë nga zona e qytetit të Burrelit.
Situata ka ngritur shqetësime serioze mbi cilësinë e punimeve dhe nevojën për ndërhyrje të menjëhershme përpara se dëmet të thellohen edhe më tej.
