Një situatë tejet alarmante raportohet në fshatin Maleshovë të Përmetit, ku banorët ndodhen përballë rrezikut të një tragjedie si pasojë e rrëshqitjeve masive të dheut të shkaktuara nga reshjet e shumta të ditëve të fundit.
Një qytetar ka denoncuar publikisht gjendjen kritike, duke bërë me dije se të paktën tetë banesa rrezikojnë të përfundojnë në greminë, ndërsa në tre prej tyre jetojnë familje që ndodhen në rrezik të menjëhershëm. Sipas tij, rrëshqitja e dheut ka mbërritur vetëm një metër larg themeleve të shtëpisë së parë.
Banorët raportojnë se është krijuar një humnerë rreth 300 metra e gjatë dhe mbi 40 metra e thellë, e cila po zgjerohet vazhdimisht. Lëvizjet e tokës janë të forta dhe të vazhdueshme, duke bërë që banesat të lëkunden dhe të krijohet ndjesia e një tërmeti të pandalur.
“Shtëpitë dridhen në çdo moment. Frika është e përhershme. Jetët tona janë realisht në rrezik,” shprehet banori në apelin e tij, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga autoritetet.
Banorët u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse që të kryejnë verifikim të menjëhershëm në terren, të marrin masa emergjente dhe, nëse është e nevojshme, të evakuojnë familjet e rrezikuara, për të shmangur humbjen e jetëve njerëzore.
Situata mbetet kritike dhe kërkon reagim të menjëhershëm përpara se të ndodhë një katastrofë.
